Skuka e di sekretin, 2 gola verdhebluve të Elbasanit
Partizani luan ndeshjen e radhës në transfertë ndaj Elbasanit, e për ta kaluar një provë të vështirë si kjo, të kuqtë do të kenë nevojë për të gjithë “arsenalin” që posedojnë. E këtu, një nga potencialet më kryesore të skuadrës është Xhuljano Skuka.

Ky i fundit nuk mundi të ishte pjesë e skuadrës në ndeshjen me Vllazninë, duke pasur disa probleme shëndetësore, përtej atyre fizike që nuk e kanë lejuar të jetë në maksimum përgjatë sezonit. Stafi teknik do të mundohet ta ketë gati sulmuesin për ndeshjen me Elbasanin dhe, për fat të mirë, ka ende kohë deri të hënën e ndeshjes në mënyrë që 27-vjeçari t’ia dalë mbanë e të jetë pjesë e ekipit në takimin ndaj verdhebluve.
Kujtojmë se ishte pikërisht Skuka ai që i dhuroi fitoren Partizanit në ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë ndaj Elbasanit në transfertë, duke u shfaqur i “ftohtë” nga pika e bardhë e penalltisë. Ndërkohë, Skuka i ka shënuar Elbasanit edhe në ndeshjen e kampionatit të përfunduar në barazim 2-2 në “Arenën e Demave”, duke i kthyer kështu verdheblutë në një kundërshtar që i sjell fat.
Mbetet për t’u parë nëse do të jetë kështu në takimin e radhës dhe mbi të gjitha, nëse Skuka do të jetë gati në këtë moment vendimtar të sezonit. Kujtojmë se te Partizani tashmë dhe në vazhdim një alternativë plus do të jetë edhe Albers Keko, që ka hedhur pas krahëve dëmtimin, edhe pse sulmuesi sigurisht do të menaxhohet nga stafi i kryeqytetasve për të mos rrezikuar një tjetër dëmtim.
PANORAMASPORT.AL













