“Skuadra po zbaton shumë mirë detyrat e Kërnajës”, drejtori Ibraimi: Duke parë dhe duke bërë te Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2026 | 19:57

“Skuadra po zbaton shumë mirë detyrat e Kërnajës”, drejtori Ibraimi: Duke parë dhe duke bërë te Partizani

Partizani ia doli me sukses të kalonte edhe një provë të vështirë të kampionatit si ndeshja me Dinamon, të cilën të kuqtë e fituan me rezultatin 2-0.

ibraimi

Në një prononcim për “Panorama Sport”, drejtori i kryeqytetasve, Agim Ibraimi theksoi se është i kënaqur nga zhvillimet rreth skuadrës në fazën e tretë, ndërsa shtoi se në fazën e fundit të kampionatit, pret që çdo ndeshje të jetë si një finale. Ndër të tjera, Ibraimi shtoi se skuadra po i zbaton më së miri detyrat që i jep trajneri Kërnaja.

Sa e prisnit këtë fitore ndaj Dinamos? E dinim se do të ishte një ndeshje e fortë, e kam thënë edhe para ndeshjes së Dinamo bashkë me Egnatian janë dy skuadrat që mundohen tërë kohën të të mbajnë në presion, mirëpo ne i morëm masat e duhura dhe mendoj se përgjatë gjithë ndeshjes ishim në kontroll. Kjo për meritë të çunave që luftuan, edhe ata që ishin disi me lëndime dhe sakrifikuan. Kështu që i përgëzoj dhe është meritë e tyre dhe e trajnerit.

Falë këtij trepikëshi ngjiteni edhe në zonën e “Final Four”… Jo, kjo nuk do të thotë asgjë për momentin. Çdo ndeshje është e rëndësishme, shikojmë përpara dhe kemi ndeshjen e radhës që është shumë e rëndësishme. Duke parë, duke bërë.

Tani u mbyll faza e tretë, keni pasur ndonjë peng? Normal që mund të ketë pengje dhe gjëra të tjera që i flasim, i shqyrtojmë dhe që mund të kishim reaguar më mirë. Por, ka raste edhe që mund të ndëshkoheshim dhe kështu që jemi të kënaqur.

A mendon se është më e vështirë të arrinit në “Final Four”, apo tani që ju duhet ta ruani këtë pozicion? Në fillim ishim deri diku të pakonsoliduar në fushë, por me rikthimin e futbollistëve dhe me përforcimet në merkato, ekipi po reflekton shumë mirë në fushë. Detyrat që i jep trajneri i kryen shumë mirë dhe hap pas hapi, besoj se do të bëhet edhe më mirë.

Çfarë prisni nga faza e katërt e kampionatit? Çdo ndeshje do të jetë si një finale.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL