Skandali, Vllaznia nuk bën kallëzim për kërcënimet ndaj trajnerit. Shkodranët mundohen që…
Prej një jave, Vllaznia është përfshirë nga kaosi. Trajneri Agim Canaj është kërcënuar në dy raste për përfshirjen e lojtarëve të ndryshëm në formacion apo grumbullimin e disave në ekipin e parë, ndërsa ka udhëtuar drejt Londrës.

Pavarësisht se është një ngjarje shumë e rëndë, ajo që e bën edhe më shqetësuese situatën, është fakti se drejtuesit më të lartë të klubit, përfshi këtu kryebashkiaken e Shkodrës dhe njëkohësisht presidente e klubit, Voltana Ademi, nuk ka bërë denoncim në organet ligjore. Drejtuesit nuk e kanë çuar ende këtë çështje në rrugë zyrtare, ndërsa kjo është shumë shqetësuese.
KAOSI
Gazeta “Panorama Sport” ka tentuar të kontaktojë gjatë gjithë këtyre ditëve me drejtuesit më të lartë të klubit Vllaznia, por ata kanë qenë të padisponueshëm. Burime të gazetës kanë bërë të ditur se drejtuesit nuk kanë bërë denoncim në polici për kërcënimet që ka marrë tekniku Agim Canaj.
Kjo neglizhencë e pakuptimtë e drejtuesve nuk tingëllon mirë. Do të mjaftonte denoncimi në organet zyrtare për t’i krijuar edhe teknikut një lloj mbrojtjeje në të gjithë këtë situatë aspak të mirë që ekziston te Vllaznia.
Ndërkaq, tekniku Canaj mësohet se dje ka mbërritur në Shqipëri, ndërsa do të pritet sot nëse do të dalë në stërvitje me ekipin ose jo. Burimet kanë bërë të ditur se Canaj e ka menduar seriozisht dorëheqjen nga posti që mban, por që kanë qenë drejtuesit e klubit ata që kanë këmbëngulur që ai të vazhdojë punën. Në të gjithë këtë situatë, trajneri Canaj ende nuk ka reaguar publikisht për të treguar me të vërtetë se çfarë ka ndodhur.
BESAR BOZGO













