Sinella pas dorëheqjes: Na mbeti vetëm të dilnim me opozitën në bulevard
Tek Egnatia përfundon bojkoti. Pas protestave treditore, lojtarët u janë rikthyer dje përgatitjeve. Rroga nuk ka, e megjithatë drejtuesit kanë premtuar se situata do të zgjidhet shumë shpejt. Kjo ka bërë që edhe futbollistët të vendosin që të dalin në fushë për t’u stërvitur dhe në të tilla kushte, sot do të jenë gati për të luajtur kundër Lushnjës në “Roza Haxhiu”. E megjithatë, kriza financiare dha efektet e para. Bledar Sinella është larguar nga stoli. Trajneri ka dhënë përfundimisht dorëheqjen. Kavajasit iu sos durimi, ndaj edhe vendosi që të ndërpriste bashkëpunimin me klubin. Gjatë një deklarate të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ai zbulon arsyet që e çuan deri në këtë pikë.

“E ndërpremë bashkëpunimin me klubin. Gjithçka u mbyll me konsensus dhe ata do të respektojnë kontratën. Ishte një situatë e padurueshme, ku nuk mund të vazhdohej më. Lojtarët kishin tre muaj pa u paguar. Kjo situatë ka qenë e trashëguar që nga dhjetori. Çdo javë ka pasur protesta nga lojtarët deri sa erdhi gjendja në këtë pikë, ku nuk dolën asnjë ditë në stërvitje dhe nuk do paraqiteshin as në ndeshjen e radhës. Mbeti vetëm të bashkoheshim me protestën e opozitës dhe të dilnim në bulevard… Situatë sa dramatike, aq edhe komike. Lojtarët kishin të drejtën e kësaj bote që të reagonin në këtë formë. Falënderoj të gjithë lojtaret nga i pari deri tek i fundit, që pavarësisht kushteve amatoreske dhe të papaguar, janë stërvitur si profesionistë. Aq sa shpeshherë habitesha edhe vetë për seriozitetin dhe profesionalizmin e tyre. Për asnjë moment nuk kanë bërë as problemin më të vogël në seancat stërvitore që kanë zhvilluar me mua. Kënaqësi që punova me këtë grup lojtarësh, ndaj dua që t’i falënderoj për profesionalizmin e treguar”, përfundoi Sinella. TRAJNERI I RI Klubi nuk ka vonuar dhe ka gjetur pasuesin e Bledar Sinellës. Ai është sërish kavajas dhe një ish, pasi e ka drejtuar për disa javë Egnatian. Bëhet fjalë për Ilir Duron, i cili dje ka nisur zyrtarisht nga puna. Pas një takimi dhe analize mes drejtuesve, është vendosur që situata t’i kthehet normalitetit. Nga sa mësohet, në klub i kanë tërhequr vëmendjen grupit të titullarëve dhe kanë kërkuar që situata të tilla të mos përsëriten më. Ndërkohë, është dhënë garanci se në fillim të javës do të ketë edhe rroga.













