“Shkrihen akujt”, Munishi vlerëson afrimin e fundit të Ilir Dajës
Faton Neziri është futbollisti më i ri i Dinamos. Mbrojtësi i majtë ka vendosur të mbyllë aventurën e tij në Superligën e Kosovës me Dukagjinin, për të nisur një të re në Superioren e Shqipërisë. Ndërkohë, një reagim i papritur ka ardhur pikërisht nga trajneri i Dukagjinit, Ismet Munishi, i cili e ka pasur nën urdhrat e tij mbrojtësin në sezonin e fundit.

Tekniku i mirënjohur në Kosovë, ka bërë një reagim në rrjetet sociale, ku shpreh “dhimbjen” e tij për shkak se nga organika i është larguar një lojtar cilësor. “Me shumë dhimbje e them që Dinamo ka marrë një lojtar shumë të mirë. Shumë suksese Faton”, shkruan Munishi në profilin e tij, në rrjetin social “Facebook”.

Ky mesazh i Munishit mund të shikohet edhe si një shkëndijë për “shkrirjen e akujve” me trajnerin Ilir Daja. Dihet se në shkuarën, kur Daja ishte trajner i Ballkanit në Kosovë, Munishi ka qenë një ndër kritikët e trajnerit aktual të Dinamos.
AFRIMI I TRETË- Dinamo po bëhet gati për rikthimin në veprimtaritë europiane të klubeve, kështu që drejtuesit po tregohen aktiv në merkaton në hyrje. Të enjten dinamovitët zyrtarizuan goditjen e radhës për sezonin e ri, duke shtuar alternativat në dispozicion të trajnerit Ilir Daja, i cili ka nisur punën me ekipin për pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës. Ashtu siç kishte paralajmëruar nga “Panorama Sport”, mbrojtësi i majtë Faton Neziri, është bërë pjesë e klubit kryeqytetas. Ai ishte piketuar nga trajneri Ilir Daja që kur ai ishte trajner i Ballkanit në kampionatin kosovar.
“Dinamo City ka kënaqësinë të njoftojë se Faton Neziri është lojtari më i ri i skuadrës sonë. Mbrojtësi i krahut të majtë vesh fanellën blu pas disa eksperiencave në Kosovë, së fundi me Dukagjinin. Neziri është përforcimi i tretë në merkaton e kësaj vere, pas Ysni Ismailit dhe Florenc Farrukut. Mirë se vjen Faton Neziri”, shkruhej në njoftimin e klubit kryeqytetas.
SHIFRAT – Në sezonin e fundit, Neziri ka luajtur në 31 ndeshje në kampionatin kosovar, me 1836 minuta në këmbët e tij. Mund të thuhet se ka një marrëdhënie të mirë edhe me golin, sepse e ka gjetur në tri raste rrugën e rrjetës, ndërsa ka dhënë edhe një asist. Gjithashtu, Neziri ka luajtur edhe dy ndeshje në kupën e Kosovës, çka tregon se ka qenë një futbollist në formë optimale dhe që shihet shumë e rëndësishme për Dinamon, që e do ta ketë gati për kupat e Europës.
PANORAMASPORT.AL













