Shkarkimi i Milinkoviç, zbulohen prapaskenat te Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2025 | 23:26

Shkarkimi i Milinkoviç, zbulohen prapaskenat te Partizani

Partizani njoftoi në fillim të javës shkarkimin e Mladen Milinkoviç.milinkovicRrallë ndodh që të kuqtë të detyrohen të shkarkojnë dikë, pasi përgjithësisht secili merr përgjegjësitë e tij dhe paraqet dorëheqjen. “Panorama Sport” mëson detaje ekskluzive, që tregojnë se trajneri do të përfitojë vetëm dy rroga më tepër. Pra Milinkoviç nuk do të paguhet për të gjithë sezonin. Kështu edhe pse është shkarkuar, ngjason edhe një konsensus mes palëve.

EKSPERIENCA Partizani e riktheu me bujë Milinkoviç, pasi 8 vite më parë ishte pjesë e Luftëtarit dhe më pas Kukësit. Vetëm te “demat” kaloi një periudhë të errët. Milinkoviç pranoi projektin pas dështimit në Europë, ndërsa Partizani afroi lojtarë të rinj në gusht dhe shtator. Në total regjistroi 4 pikë në gjashtë javë duke pasur dy muaj kohë. Katër humbje radhazi në kampionat patën ndikimin e menjëhershëm për mbylljen e bashkëpunimit. Milinkoviç i la përgjegjësi lojtarëve pas ndeshjes me Bylisin, ndërsa po ashtu ndaj Tiranës e pa edhe si ters atë që po ndodhte me Partizanin. Grupi nuk u duk se po sakrifikonte për projektin, teksa “demat” kanë tashmë sulmin dhe mbrojtjen më të dobët të kampionatit.

STËRVITJET Milinkoviç e kalonte thuajse gjithë ditën te kompleksi Partizani. Seancat e tij stërvitore dallonin dhe po ashtu përkushtimi. Partizani ia doli që nga shtatori të fitonte formën e duhur fizike, por loja nuk ishte premtuese. Koha ishte kundër, ndërsa lojtarët nuk u përgjigjën në fushë siç pritej. Ngarkesa dhe puna në stërvitje, nuk përkthehej me rezultate në fushë. Kështu edhe u vulos fati i Milinkoviç, që nuk largohet pa pengje nga kryeqyteti.

PANORAMASPORT.AL