Shifrat e tre fazave të para të Kategorisë Superiore/ 280 gola dhe dominancë e skuadrave vendëse

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2026 | 22:00

Shifrat e tre fazave të para të Kategorisë Superiore/ 280 gola dhe dominancë e skuadrave vendëse

Pas 27 javësh të kampionatit të Kategoria Superiore, sezoni po konfirmohet si një nga më të balancuarit e viteve të fundit, ku shumë ndeshje janë vendosur nga detaje të vogla dhe diferencat mes skuadrave kanë qenë minimale. Deri në këtë fazë të garës janë zhvilluar 135 ndeshje, në të cilat janë realizuar 280 gola në total.

egnatia-partizani

Kjo përkthehet në një mesatare prej 2.07 gola për ndeshje, një shifër që tregon se kampionati ka prodhuar një nivel të moderuar spektakli, me disa sfida shumë të hapura, por edhe me shumë përballje taktike ku mbrojtjet kanë bërë diferencën. Një element interesant është shpërndarja e golave mes skuadrave pritëse dhe atyre udhëtuese.

Skuadrat që kanë luajtur në fushën e tyre kanë shënuar 155 gola, ndërsa skuadrat mike kanë realizuar 125 gola. Kjo diferencë tregon se faktori fushë vazhdon të ketë ndikim në ecurinë e ndeshjeve, megjithëse jo në mënyrë dominuese. Edhe rezultatet e përgjithshme të kampionatit e konfirmojnë këtë prirje. Skuadrat pritëse kanë fituar 54 ndeshje, që përbën rreth 40% të totalit. Nga ana tjetër, skuadrat udhëtuese kanë arritur 38 fitore, ose 28.15% të ndeshjeve të zhvilluara.

Një pjesë e konsiderueshme e sfidave, plot 43 ndeshje (31.85%), janë mbyllur në barazim, duke treguar qartë balancën që ekziston mes skuadrave të këtij sezoni. Sa i përket numrit të golave në ndeshje, statistikat tregojnë se shumica e sfidave kanë qenë relativisht të mbyllura. Vetëm 43 ndeshje (31.85%) kanë përfunduar me më shumë se 2.5 gola, ndërsa 92 ndeshje (68.15%) janë mbyllur me më pak se 2.5 gola.

Kjo tregon një kampionat ku organizimi taktik dhe kujdesi në fazën mbrojtëse kanë qenë shpesh vendimtarë. Megjithatë, pavarësisht këtyre shifrave, sezoni ka prodhuar edhe ndeshje spektakolare me shumë gola dhe përmbysje, duke mbajtur të hapur garën si për objektivat në krye të renditjes, ashtu edhe për skuadrat që luftojnë për mbijetesë.

STATISTIKAT

Me disa javë ende për t’u zhvilluar deri në mbylljen e fazës së rregullt të kampionatit, pritet që ritmi i garës të rritet edhe më shumë. Çdo pikë do të bëhet vendimtare dhe mbetet për t’u parë nëse numri i golave do të rritet në javët e fundit apo nëse balanca dhe ndeshjet e forta taktike do të vazhdojnë të jenë tipari kryesor i këtij sezoni në Kategorinë Superiore.

PANORAMASPORT.AL