Sfidë delikate për kampionët, Egnatia pa Aleksin përballë Teutës/ Tetova në kërkim të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2026 | 21:37

Sfidë delikate për kampionët, Egnatia pa Aleksin përballë Teutës/ Tetova në kërkim të…

Ndeshja e së hënës në kampionat pritet të sjellë një tjetër duel interesant mes Egnatias dhe Teutës, dy skuadra që vetëm pak ditë më parë u përballën edhe në Kupë. Këtë herë sfida merr një tjetër peshë, pasi bëhet fjalë për pikë të rëndësishme në kampionat dhe për një moment delikat të sezonit.

EGNATIA

Kuptohet që në kampin e kampionëve nuk duan të përsëritet sfida e kupës, pasi si rrallë herë këtë edicion, nuk ishin ata që kishin “frenat e lojës” në dorë, por ia lanë ato kundërshtarit.

MUNGON KAPITENI – Te rrogozhinasit, të drejtuar nga trajneri Edlir Tetova, po përgatisin ndeshjen me disa dilema në formacion. Mungesa më e ndjeshme është ajo e kapitenit Albano Aleksi, i cili do ta ndjekë këtë takim nga tribunat për shkak të kartonit të kuq të marrë në përballjen e fundit të kampionatit ndaj Partizanit.

Mesfushori ka qenë një nga pikat kyçe të skuadrës gjatë këtij sezoni, duke garantuar ekuilibër mes mbrojtjes dhe fazës sulmuese. Aleksi shpesh ka marrë rolin e organizatorit në qendër të fushës, duke menaxhuar ritmin e lojës dhe duke ofruar siguri në momentet kur skuadra ka nevojë për qetësi dhe kontroll të topit.

Mungesa e tij mund të ndikojë ndjeshëm në mënyrën se si do të paraqitet Egnatia në këtë përballje. Vështirësitë e kampionëve u panë disi edhe në ndeshjen e fundit të Kupës pikërisht ndaj Teutës, ku rrogozhinasit patën jo pak probleme në ndërtimin e aksioneve dhe në kontrollin e mesfushës. Në shumë momente të takimit, durrsakët arritën të fitojnë terren dhe të ushtrojnë presion, duke e detyruar Egnatian të ndryshojë ritmin e lojës. Kjo tregoi se balanca në mesfushë mbetet një element kyç për skuadrën e drejtuar nga Tetova.

SHANS PËR ALTERNATIVAT – Përballja e së hënës pritet të jetë një tjetër provë për Egnatian, jo vetëm për objektivat në kampionat, por edhe për thellësinë e organikës. Stafi teknik pritet të bëjë disa rregullime në mesfushë për të kompensuar mungesën e kapitenit dhe për të ruajtur stabilitetin në lojë. Nga ana tjetër, Teuta vjen në këtë sfidë me më shumë besim pas përballjes së fundit mes dy skuadrave. Durrsakët kanë treguar se dinë të jenë kompaktë dhe të rrezikshëm në tranzicion, elementë që mund të ndikojnë në një ndeshje që pritet të jetë e luftuar deri në fund.

Në këto kushte, sfida e së hënës pritet të jetë një tjetër duel i fortë mes dy skuadrave që tashmë e njohin mirë njëra-tjetrën, me Egnatian që kërkon të ruajë ritmin në kampionat edhe në mungesë të një prej lojtarëve më të rëndësishëm të saj.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL