Sfida e jetës, Alijev para përballjes me Elbasanin: Egnatia merr titullin
Të dielën, Egnatia zbret në fushë për një nga sfidat më vendimtare të sezonit, përballë Elbasanit në një ndeshje që ka vlerën e një finaleje të vërtetë për skuadrën e drejtuar nga Nevil Dede. Në këtë përballje të “Final 4”, objektivi është vetëm një: fitorja. Për kampionët e Rrogozhinës nuk ka vend për llogari të tjera. Çdo rezultat tjetër, qoftë barazim apo humbje, do t’i nxirrte praktikisht jashtë garës për titullin kampion.

Pikërisht për këtë arsye, ekipi hyn në këtë duel me përqendrim maksimal dhe me vetëdijen se çdo minutë e ndeshjes mund të peshojë në fatin e sezonit. Lajmi pozitiv për stafin teknik është se grupi është i plotë dhe të gjithë futbollistët janë në dispozicion për këtë përballje kaq të rëndësishme. Edhe pse skuadra vjen disi e lodhur pas ndeshjes së Kupës, ku luajti për pjesën më të madhe të takimit me një futbollist më pak, atmosfera në ekip mbetet shumë e mirë dhe motivimi është në nivelet më të larta.
Sakrifica e bërë në Kupë ka treguar karakterin dhe forcën e këtij grupi, ndërsa tani e gjithë vëmendja është përqendruar te sfida me Elbasanin. Futbollistët janë të ndërgjegjshëm se kjo është ndeshja që mund të mbajë gjallë ëndrrën për të mbrojtur titullin dhe për të vazhduar rrugën drejt suksesit. Të dielën pritet një përballje e fortë dhe emocionuese, ku Egnatia do të luftojë deri në fund për të marrë tri pikët që vlejnë sa një sezon i tërë. Për skuadrën e Nevil Dedes, kjo është një finale pa kthim dhe vetëm fitorja mban të hapur rrugën drejt titullit kampion.
ALIJEV – Në lidhje me shanset e skuadrës për t’u shpallur kampione të Shqipërisë, ka folur për mediat e vendit të tij mbrojtësi azerbajxhanas i Egnatias, Zamig Alijev. Në një prononcim për azerisport.com, futbollisti i kampionëve në fuqi theksoi se gara për titull mbetet plotësisht e hapur dhe se disa skuadra kanë ende mundësi reale për të triumfuar në fund të sezonit. Alijev vlerësoi se diferencat mes ekipeve pretendente janë minimale dhe se gjithçka mund të vendoset nga detajet në javët e fundit të kampionatit.
Sipas tij, çelësi i suksesit do të jetë përqendrimi maksimal dhe aftësia për të shmangur gabimet në momentet vendimtare. “Mendoj se Elbasani, Vllaznia dhe Egnatia kanë shanse të barabarta për titullin kampion. Ndoshta do të fitojë ekipi që do të bëjë më pak gabime. Dashtë Zoti që edhe këtë herë, ashtu si në vitet e fundit, ne të shpallemi kampionë. Duhet të jemi maksimalisht të përqendruar”, u shpreh në prononcimin e tij, Zamig Alijev.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













