Sezoni i dështuar për bardheblutë, kërkesa e tifogrupit të kryeqytetasve: Dilni publikisht dhe…
Bardheblutë e Shkupit ranë nga kategoria dhe dështimi ishte i paralajmëruar.Pas sezonit zhgënjyes të kryeqytetasve, tifogrupi i “Shvercerave” kanë reaguar.

NJOFTIMI I SHVERCERAVE
KËRKESË DHE REAGIM PUBLIK DREJTUAR KRYESISË SË KLUBIT
Të nderuar anëtarë të Kryesisë,
Pas përfundimit të kampionatit në mënyrën më të turpshme dhe më poshtëruese në historinë e klubit, ne si grup tifozësh ndjejmë obligim moral që të kërkojmë përgjigje, transparencë dhe llogaridhënie për gjendjen në të cilën është katandisur klubi ynë.
Për muaj të tërë kemi dëgjuar premtime, kemi treguar durim dhe kemi qëndruar pranë klubit në momentet më të vështira. Sot, me të drejtë kërkojmë nga Kryesia që të dalë publikisht dhe të sqarojë para tifozëve dhe opinionit se deri ku ka arritur puna rreth organizimit dhe funksionimit të klubit, cili është drejtimi që po ndiqet dhe cili është plani konkret për të ardhmen.
Po ashtu, kërkojmë transparencë të plotë lidhur me strukturën pronësore të klubit. Konkretisht, kërkojmë publikimin e dokumenteve zyrtare që vërtetojnë se kush është aksionari dhe pronari 100% i klubit. Kjo kërkesë është plotësisht legjitime, pasi para disa muajsh nga ne u kërkua mirëkuptim dhe mbështetje për procesin e kalimit të klubit në emrin e tij. Për këtë arsye, tifozët meritojnë të informohen me fakte dhe dokumente zyrtare, jo me thashetheme e spekulime.
Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se atë që i takon çdo tifozerie që jeton me klubin e saj: transparencë, sinqeritet dhe respekt. Heshtja e vazhdueshme vetëm sa e rrit mosbesimin dhe pakënaqësinë.
Njëkohësisht, duam ta bëjmë të qartë se ata që me veprimet ose mosveprimet e tyre e kanë sjellë klubin në këtë gjendje duhet të mbajnë përgjegjësi. Ndoshta sot disa mendojnë se mund t’i shmangen kësaj përgjegjësie, por historia e klubit dhe kujtesa e tifozëve nuk fshihen aq lehtë. Secili do të mbahet mend për atë që ka bërë ose ka lejuar të ndodhë.
Jemi të bindur se kjo periudhë e errët nuk do të zgjasë përgjithmonë dhe se herët a vonë gjërat do të ndryshojnë. Klubi do të vazhdojë të ekzistojë, do të ringrihet dhe do të rikthehet aty ku e ka vendin. Por kur të vijë ajo ditë, mbetet një pyetje që secili prej jush duhet t’ia bëjë vetes: ku do të mbetet fytyra juaj para tifozëve dhe para historisë së këtij klubi?
Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë klubit, sepse dashuria jonë është për klubin dhe ngjyrat e tij, jo për individë të përkohshëm. Pikërisht për këtë arsye kërkojmë përgjigje të qarta, dokumente zyrtare dhe transparencë të plotë.
Shvercerat Shkup
24.06.2026
PANORAMASPORT.AL













