Sefgjinaj: Kam besim se Laçi do ta ruajë traditën edhe në sezonin e ri
Të hënën Laçi do të zbresë në fushë, duke iu dhënë fund pushimeve që lojtarët morën pas eliminimit nga Liga e Europës. Mbrojtësi Taulant Sefgjini, një ndër futbollistet bazë të ekipit, pohoi dje për “Panorama Sport” se java që vjen e gjen Laçin në fushën stërvitore. 28-vjeçari, edhe pse luan në prapavijë, ka dhënë kontributin e tij të çmuar në ekip, kryesisht në fitoren ndaj Skënderbeut në sezonin e fundit.
Eliminimi nga Liga e Europës ka lënë shenjë te kurbinasit. “Dalja para kohe nga Europa na ka mërzitur. Gjithsesi, gara të reja na presin. Laçi po pushon, por me sa duket kjo kohë do të jetë e limituar, pasi shumë shpejt nisim përgatitjet për sezonin e ri. Kampionati nis shpejt dhe ne duhet të marrim të gjitha masat për ta përgatitur siç duhet.
Të shohim…! Nga e hëna, ekipi pritet të nisë stërvitjet për sezonin e ri. Skuadra, edhe pse e ka grupin e duhur, forcat e reja nuk do të na bënin keq, pasi konkurrenca i bën mirë grupit. Do të respektojmë çdo vendim të drejtueseve tanë. Tashmë është kthyer në traditë, Laçi operon me kujdes në merkato dhe qëllon në shenjë. Të gjithë e kanë parë se futbollistë të ndryshëm të afruar nga drejtuesit tanë, kanë rezultuar përforcime të goditura. Shikoni Meton dhe Mustafën. Janë një garanci e madhe për skuadrën, ndaj jam i bindur se, edhe gjatë ditëve të merkatos së verës, Laçi do të pasurohet edhe me shumë futbollistë të tjerë. Primare për ne mbetet ruajtja e fizionomisë së skuadrës. Laçi edhe në këtë edicion do të jetë pretendet, ose thënë ndryshe faktor vendimtar për një garë sa më të fortë”, u shpreh mbrojtësi kurbinas, Taulant Sefgjini













