Rrugëtimi i Botërorit, Spanja i hap derën Gjermanisë drejt fazës me eliminim direkt
Surpriza më e madhe e Kupës së Botës 2026 deri tani ndodhi të hënën në mbrëmje në Atlanta. Kombëtarja e Kepit të Gjelbër, e renditur në vendin e 64 në renditjen e FIFA, arriti të ndal në një barazim pa gola Spanjën, e cila renditet e treta në botë dhe është kampione në fuqi e Evropës. Ky barazim 0-0, i pari i këtij Botërori, pati pasoja indirekte edhe për Kombëtaren e Gjermanisë dhe ato ishin shumë pozitive.

Gjermania mund ta siguroj matematikisht dhe zyrtarisht biletën për në fazën me eliminim direkt nëse mposht Bregun e Fildishtë (të shtunën, ora 22:00). Arsyeja është e thjeshtë: për shkak të barazimeve të regjistruara deri tani në Grupet B, C, F dhe H, skuadrat që do të përfundojnë në vendin e tretë në këto grupe nuk mund të arrijnë më në kuotën e gjashtë ose më shumë pikëve. Nga ana tjetër, Gjermania do të kishte gjashtë pikë pas një fitoreje të dytë ndaj Bregut të Fildishtë, i cili gjithashtu e nisi me sukses turneun (me një fitore të vonë 1-0 ndaj Ekuadorit).
Siç dihet, në këtë Kupë Bote të zgjeruar me 48 kombëtare, në fazën me eliminim direkt kualifikohen 32 skuadra: dy të parat e secilit prej 12 grupeve, si dhe tetë vendet e treta më të mira. Në këtë skenar, Kombëtarja e Gjermanisë do të ishte e sigurt mes skuadrave të kualifikuara me gjashtë pikë, edhe nëse ekipi i Julian Nagelsman do të përfundonte në vendin e tretë pas një humbjeje ndaj Ekuadorit në ndeshjen e fundit të grupit më 25 qershor.
Në skenarin më negativ të mundshëm, Gjermania mund të ishte vendi i tretë i tetë më i dobët në Kupën e Botës dhe sërish do të kualifikohej. Rreziku i eliminimit të hershëm të Gjermanisë nga faza e grupeve ishte tashmë i vogël pas fitores bindëse në ndeshjen e parë. Sipas llogaritjeve, formati i ri dhe zgjerimi i turneut bëjnë që tre pikë dhe një golavarazh i balancuar të jenë me shumë gjasa të mjaftueshme për të kaluar më tej. Kështu, që të shtunën në Toronto, përballë Bregut të Fildishtë, Kombëtarja e Gjermanisë mund ta siguroj matematikisht një vend në raundin tjetër.
PANORAMASPORT.AL













