“Demat” ruajnë bazën, dy reparte në fokusin e merkatos së Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2026 | 16:30

“Demat” ruajnë bazën, dy reparte në fokusin e merkatos së Partizanit

Partizani po punon paralelisht për emërimin e trajnerit të ri dhe ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Deri tani, të kuqtë kanë regjistruar tre largime, Vusal Isgandarli, Amos Nondi dhe Karlos Martinez, me largimin e sulmuesit nga Azerbajxhani që konsiderohet humbja më e ndjeshme.

partizani

Sulmi, prioriteti kryesor

Isgandarli ishte golashënuesi më i mirë i Partizanit në kampionat me gjashtë gola dhe largimi i tij ka krijuar një boshllëk të rëndësishëm në repartin ofensiv. Aktualisht, Laorent Shabani mbetet alternativa kryesore në krahun e majtë, por drejtuesit janë në kërkim të një lojtari tjetër që të sjellë gola, asistime dhe më shumë konkurrencë në repart. Në qendër të sulmit, Partizani mbështetet te Xhuliano Skuka, ndërsa në dispozicion janë edhe Albers Keko, Diego Kontreras dhe Sekou Sidibe. Megjithatë, klubi synon të afrojë edhe një sulmues tjetër.

Mbrojtja kërkon një qendërmbrojtës

Largimi i Karlos Martinezit nuk konsiderohet problematik, pasi Albion Marku dhe Marjus Kola ofrojnë alternativa të mjaftueshme në krahun e djathtë të mbrojtjes. Në qendër të repartit difensiv, të kuqtë kanë Altin Bytyçin, Marcelino Prekën, Saliu Sembenen dhe Andi Janjevën, por drejtuesit po punojnë për afrimin e një qendërmbrojtësi tjetër. Objektivi është rritja e konkurrencës dhe shmangia e problemeve që sollën dëmtimet gjatë sezonit të kaluar.

Mesfusha dhe porta, repartet më të konsoliduara

Largimi i Amos Nondit nuk pritet të ndikojë ndjeshëm në ekuilibrat e skuadrës. Partizani vazhdon të ketë alternativa cilësore në mesfushë me emra si Rouan Human, Arafat Dumbia, Kamer Qaka, Redon Ismaili dhe Valentino Murataj. Edhe porta mbetet e sigurt me Pano Qirkon, një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit dhe një nga portierët më të vlerësuar të kampionatit.

Nuk nevojitet revolucion

Partizani ka ruajtur bazën e skuadrës dhe nuk ka nevojë për ndryshime të mëdha. Megjithatë, zëvendësimi i Isgandarlit, afrimi i një qendërmbrojtësi dhe i një sulmuesi mbeten prioritetet kryesore të merkatos. Nëse këto lëvizje realizohen me sukses, të kuqtë do të hyjnë në sezonin e ri me një skuadër më të plotë, më konkurruese dhe me më shumë alternativa në të gjitha repartet.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL