EKSKLUZIVE/ Flamurtari kërkon zhbllokimin e merkatos, gati gjyqi me Agostinelin
Flamurtari është vënë në lëvizje për të mos lejuar që bllokimi i merkatos të zgjasë dhe të dëmtojë planet e klubit për sezonin e ri. Ndërsa ish-trajneri Andrea Agostineli ka depozituar çështjen në FIFA, duke sjellë bllokimin e merkatos, drejtuesit vlonjatë po ndërmarrin hapa konkretë për zgjidhjen e situatës.

Presidenti Sinan Idrizi nuk ka ndërmend të qëndrojë pasiv përballë këtij zhvillimi. Burime pranë klubit bëjnë me dije për “Panorama Sport” se ai ka autorizuar bankën në Turqi për të kryer pagesën në favor të trajnerit italian, me qëllim mbylljen e çdo pretendimi financiar që mund të ketë sjellë penalizimin ndaj Flamurtarit.
Agostineli është mbështetur në një klauzolë të kontratës së tij, sipas së cilës ai do të konsiderohej automatikisht trajner i Flamurtarit edhe për sezonin pasues në rast se skuadra siguronte ngjitjen në Kategorinë Superiore. Në këto kushte, tekniku italian pretendon se ka të drejtë për përfitime financiare që burojnë nga kjo marrëveshje. Sipas të dhënave, paga e tij do të ishte 5 mijë euro në muaj në sezonin e pasardhës.
PRETENDIMET E PALËVE
Përveç bonusit prej 10 mijë eurosh për arritjen e objektivit, Agostinelli pretendon se klubi i detyrohet edhe pagesa të tjera shtesë. Megjithatë, burime zyrtare pranë Flamurtarit i hedhin poshtë këto pretendime, duke theksuar se çdo detyrim ndaj trajnerit është shlyer. “Nuk kemi asnjë detyrim ndaj ish-trajnerit italian. Ai është likuiduar plotësisht dhe madje i është dhënë edhe bonusi prej 10 mijë eurosh për ngjitjen në Superiore”, shprehen burime nga klubi për gazetën “Panorama Sport”.
GATI BETEJA LIGJORE
Përplasja mes palëve pritet të zhvendoset edhe në rrugë ligjore. Flamurtari po përgatit dokumentacionin për t’iu kundërpërgjigjur Agostinelit në të gjitha instancat përkatëse. Klubi po shqyrton mundësinë e hapjes së një procesi gjyqësor ndaj trajnerit italian, duke e akuzuar për përfitim të padrejtë financiar, dëmtim të imazhit të klubit dhe shkaktim të bllokimit të merkatos.
Sipas drejtuesve vlonjatë, veprimet e Agostinelit kanë vënë në rrezik objektivat sportive të skuadrës, pasi pengimi i merkatos mund të ndikojë drejtpërdrejt në përforcimin e ekipit për sezonin e ardhshëm, ku objektivi madhor mbetet rikthimi sa më shpejt në elitën e futbollit shqiptar. Tashmë mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i institucioneve kompetente dhe nëse Flamurtari do të arrijë ta zhbllokojë merkaton në kohë për të vijuar normalisht ndërtimin e skuadrës. Shlyerje detyrimi dhe betejë ligjore me italianin.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













