“Operacioni fshesa”, Teuta u jep “dorën” katër futbollistëve menjëherë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2026 | 11:51

“Operacioni fshesa”, Teuta u jep “dorën” katër futbollistëve menjëherë

Teuta ka hyrë zyrtarisht në fazën e ristrukturimit të skuadrës për sezonin e ardhshëm. Ndërsa drejtuesit po punojnë për afrimet e reja, paralelisht po vazhdon edhe procesi i spastrimit të organikës, me disa futbollistë që nuk do të jenë më pjesë e projektit durrsak.

doka

Pas largimeve të para të konfirmuara, lista është zgjeruar edhe me katër emra të tjerë. Albi Doka, Santiago Puco, Aristidi Kolaj dhe Mansur Fofana. Kjo lëvizje tregon qartë se klubi po ndërton një skuadër të re, më funksionale dhe më konkurruese për sezonin e ardhshëm.

DOKA MBYLL CIKLIN NË DURRËS
Një nga largimet më të rëndësishme është ai i mbrojtësit të djathtë Albi Doka. Futbollisti nuk arriti të ketë vazhdimësinë e dëshiruar gjatë sezonit të kaluar, kryesisht për shkak të dëmtimit që pësoi në fazën e parë të kampionatit. Problemet fizike ndikuan ndjeshëm në aktivizimin e tij dhe, në fund, palët kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin me mirëkuptim të plotë. Doka largohet nga Teuta me respekt të ndërsjellë, ndërsa tashmë po shqyrton ofertat që ka nga klube të Superiores dhe mundësinë për një aventurë jashtë Shqipërisë.

PUCO NUK JUSTIFIKOI PRITSHMËRITË
Mesfushori argjentinas Santiago Puco është një tjetër emër që nuk do të vazhdojë me Teutën. I afruar gjatë merkatos së janarit me synimin për t’i dhënë më shumë cilësi repartit të mesfushës, ai nuk arriti të përshtatej me kërkesat e skuadrës dhe ritmin e kampionatit shqiptar. Aktivizimet e tij nuk bindën stafin teknik dhe, për këtë arsye, palët kanë zgjedhur të ndajnë rrugët pas vetëm disa muajsh bashkëpunim.

KOLAJ DHE FOFANA LARGOHEN NGA TEUTA
Ndër lojtarët që mbyllin aventurën në Durrës është edhe sulmuesi Aristidi Kolaj. Pavarësisht pritshmërive që shoqëruan transferimin e tij, ai nuk arriti të fitonte një rol të qëndrueshëm në formacion dhe do të largohet pas një sezoni me fanellën e Teutës. Ndërkohë, klubi ka njoftuar zyrtarisht edhe përfundimin e bashkëpunimit me Mansur Fofanën. Përmes një komunikate në rrjetet sociale, Teuta falënderoi futbollistin për kontributin e dhënë dhe i uroi suksese në vazhdim të karrierës.

PRITEN DALJE TË TJERA
Procesi i spastrimit të organikës nuk konsiderohet ende i përfunduar. Drejtuesit kanë tashmë një ide të qartë për lojtarët që do të jenë pjesë e projektit dhe për ata me të cilët do të ndërpritet bashkëpunimi. Edhe pse nuk pritet një revolucion total, burime pranë klubit bëjnë me dije se në ditët dhe javët në vijim mund të ketë largime të tjera.

Objektivi është që çdo situatë të zgjidhet sa më shpejt, në mënyrë që futbollistët të kenë kohë të gjejnë skuadra të reja dhe klubi të fokusohet te afrimet. Në Durrës janë të vendosur të ndërtojnë një Teutë më të fortë dhe më konkurruese për sezonin e ri, ndaj çdo largim do të shoqërohet me afrime të studiuara me kujdes. Javët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të kuptuar fytyrën e skuadrës së re durrsake.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL