Plas te Vllaznia, Kastrati kundër klubit për borxhet dhe bëhet gati për gjyq. Lojtarët e tjerë acarohen për pagesat e afrimeve të reja
Çështja e Lirim Kastratit po kthehet në një problem serioz për Vllazninë. Sipas asaj që ka mësuar “Panorama Sport” pranë burimeve të afërta me klubin, sulmuesit anësor i ishte premtuar se të gjitha detyrimet financiare të prapambetura do t’i likuidoheshin në fillim të muajit qershor. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende dhe kjo ka sjellë pakënaqësi të madhe te futbollisti.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se Kastrati ka kërkuar sqarime të vazhdueshme për situatën e tij financiare, ndërsa në ditët e fundit tensioni mes palëve është rritur ndjeshëm. Madje, mësohet se lojtari ka paralajmëruar edhe mundësinë e ndjekjes së rrugëve ligjore ndaj klubit, një veprim që do t’i hapte telashe të tjera Vllaznisë në një periudhë ku shkodranët po përpiqen të ndërtojnë skuadrën për sezonin e ri.
Por nuk janë vetëm pagesat e prapambetura që kanë rënduar atmosferën. Sipas të njëjtave burime, pakënaqësi në grup ka shkaktuar edhe mënyra se si është realizuar afrimi i fundit i kuqebluve, Patrik Bardhi. Nuk bëhet fjalë për konkurrencën sportive që ish-futbollisti i Tiranës mund të sjellë në skuadër, por për faktin se ai raportohet të ketë përfituar menjëherë një pagesë “cash” në momentin e firmosjes së kontratës me Vllazninë.
Ky detaj nuk është pritur mirë nga një pjesë e futbollistëve aktualë të ekipit, të cilët ende presin të marrin detyrimet e tyre financiare. Mes lojtarëve që kanë shfaqur hapur pakënaqësinë për këtë situatë përmendet edhe Lirim Kastrati, i cili duket se ka qenë një nga zërat më kritikë brenda grupit.
Nëse palët nuk gjejnë një zgjidhje në ditët në vijim, atëherë largimi i Kastratit nga Vllaznia mund të bëhet realitet shumë shpejt. Një skenar i tillë do të përbënte një tjetër goditje për kuqeblutë, të cilët po kalojnë një verë të nxehtë jo vetëm në aspektin e merkatos, por edhe në raportet me futbollistët e tyre.
ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL













