“Puna perfekte” ekziston, dy tifozë paguhen 50 mijë dollarë gjatë Botërorit për…
Për shumë tifozë futbolli, të shohësh çdo ndeshje të Kupës së Botës është një ëndërr. Për Kevin Kotokon dhe Austin Franklin, kjo ëndërr është kthyer në një punë që u paguan plot 50 mijë dollarë. Dy të rinjtë janë përzgjedhur nga mijëra aplikantë nga televizioni amerikan “Fox” për të ndjekur të 104 ndeshjet e Botërorit 2026 nga një kub i posaçëm i ndërtuar në mes të “Times Square”, në zemër të Nju Jorkut.

Për gjashtë javë me radhë, ata do të jetojnë një eksperiencë të pazakontë, nën vëzhgimin e vazhdueshëm të kalimtarëve dhe kamerave. Kevin Kotoko, tifoz i Liverpulit dhe me origjinë nga Florida, nuk e mendoi dy herë kur mori lajmin se kishte fi tuar konkursin. “Ndjeva se ishte një mundësi që nuk mund ta humbisja. Të nesërmen i thashë shefave se ishte dita ime e fundit në punë”, tregoi ai. Në atë kohë, Kotoko punonte si kamerier në një restorant. Së bashku me të është Austin Franklin, një influencer nga Filadelfi a. Të dy u zgjodhën pasi publikuan video në rrjetet sociale, ku shpjegonin pse meritonin “punën më të bukur në botë”.
Detyra e tyre nuk është vetëm të shohin futboll. Ata duhet të krijojnë përmbajtje për rrjetet sociale, të regjistrojnë reagimet e tyre gjatë ndeshjeve dhe të ndërveprojnë me tifozët përgjatë gjithë turneut. Franklin e krahason eksperiencën me serialin e famshëm “The Truman Show”. “Ndonjëherë harroj se ku jam. Jam duke parë ndeshjen dhe papritur shoh dhjetëra njerëz që po na shikojnë ne. Është vërtet e çuditshme. Shpesh ka 30 apo më shumë persona që na vëzhgojnë ndërsa ne shohim futboll”, thotë ai.
Prania e tyre në një nga pikat më të frekuentuara të qytetit ka tërhequr vëmendjen e mijëra njerëzve. Kalimtarët ndalojnë për të bërë foto, për të biseduar apo edhe për të pyetur për jetën e tyre të përditshme. “Pyetja që dëgjojmë më shpesh është: Ku shkoni në tualet?”, tregon me të qeshur Franklin. Në fakt, të dy janë akomoduar në një hotel pranë “Times Square” dhe ushqimi që konsumojnë në kub është frymëzuar nga kuzhinat e vendeve pjesëmarrëse në Botëror. Atmosfera gjatë ndeshjeve është elektrizuese.
Në sfidën hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, rrugët e “Times Square” u mbushën me tifozë që festonin, ndërsa dy “vëzhguesit profesionistë” iu bashkuan festës. Franklin kujton me emocion një grua me origjinë meksikane që ndoqi të gjithë ndeshjen pranë kubit. “Ajo më tregoi se kishte lindur në Meksikë, ishte transferuar në Nju Jork dhe se dikur i shikonte ndeshjet e Meksikës me babanë e saj, i cili ka ndërruar jetë. Kur ma tha këtë histori, pothuajse më bëri të qaj. Këto janë emocionet që e bëjnë Botërorin kaq të veçantë”, rrëfen ai.
Të dy besojnë se Shtetet e Bashkuara mund të arrijnë larg në këtë Botëror pas nisjes së mirë kundër Paraguait. “Mendoj se çerekfi nalet duhet të jenë objektivi minimal. Kjo është gjenerata jonë e artë dhe duhet ta ndiejë këtë presion”, thotë Kotoko. Megjithatë, sfi da më e madhe mbetet maratona e 104 ndeshjeve. Gjatë tre javëve të para zhvillohen katër ndeshje në ditë, të shpërndara në tri zona të ndryshme kohore. “Duhet të kujdesemi për veten, të ushqehemi mirë dhe të ruajmë energjitë”, thotë Kotoko, i cili shpreson gjithashtu që Gana, vendi ku ka lindur, të lërë gjurmë në këtë Botëror. Ndërsa Franklin e përmbledh eksperiencën me një fjali të thjeshtë: “Jam ulur në një divan dhe po shoh futboll gjatë gjithë ditës. Është fantastike. Botërori ka një magji të veçantë. Mund të them pa hezitim se kemi punën perfekte”.
PANORAMASPORT.AL













