Rrogozhinasit nuk pranojnë pengesa, Partizani për të konfirmuar ambiciet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2025 | 22:20

Rrogozhinasit nuk pranojnë pengesa, Partizani për të konfirmuar ambiciet

Egnatia nuk ka pasur një marrëdhënie të mirë me kreun e renditjes në këtë edicion, duke qenë vazhdimisht në rolin e ndjekëses së kryesuesve, fillimisht Vllaznisë dhe më pas Elbasanit. Megjithatë, në Rrogozhinë besojnë se momenti për t’u ngjitur në krye ka ardhur dhe objektivi është i qartë: të mbyllet viti në vendin e parë dhe të shpallen “kampionë dimri”.

egnatia

Dy ndeshjet e fundit të këtij viti konsiderohen vendimtare për rrogozhinasit, të cilët duan të shfrytëzojnë çdo hap fals të rivalëve dhe njëkohësisht të bëjnë detyrën e tyre. Fillimisht kampionët luajnë ndaj Partizanit në shtëpi dhe e mbyllin vitin ndaj Teutës në transfertë.

PARTIZANI – Vëmendja është e gjitha te përballja e kësaj jave në shtëpi ndaj Partizanit, një duel i fortë dhe tradicionalisht i luftuar, që pritet të ketë intensitet të lartë dhe rivalitet në çdo repart të fushës. Sfida e së premtes në Rrogozhinë shihet si një test i rëndësishëm për Egnatian, jo vetëm për renditjen, por edhe për konfirmimin e ambicieve për titull dhe vazhdimësinë e rezultateve pozitive.

Një fitore ndaj “demave” do t’i jepte skuadrës jo vetëm tri pikë të arta, por edhe një shtysë të fortë morale në prag të mbylljes së vitit. Partizani mbetet një kundërshtar i vështirë, me eksperiencë dhe cilësi, që di të menaxhojë ndeshje të këtij niveli, ndaj stafi teknik i vendasve i ka kushtuar vëmendje të veçantë përgatitjeve taktike gjatë javës, duke punuar si në aspektin mbrojtës ashtu edhe në fazën sulmuese. Egnatia pritet të kërkojë që nga minuta e parë kontrollin e lojës, duke shfrytëzuar avantazhin e fushës dhe mbështetjen e tifozëve.

Për këtë takim, Egnatia do të ketë dy mungesa të detyruara për shkak kartonësh. Flamur Ruçi dhe Guliem Haime do të kryejnë një javë pezullim pas kartonëve të verdhë të marrë në sfidën e fundit ndaj Dinamos. Megjithatë, këto mungesa nuk pritet të përbëjnë një problem madhor, pasi rrogozhinasit janë një skuadër që aplikon rotacion javë pas jave dhe ka alternativa të mjaftueshme në çdo repart, duke ruajtur të njëjtin nivel konkurrence.

Me mbështetjen e tifozëve dhe avantazhin e fushës, Egnatia synon të marrë maksimumin ndaj Partizanit dhe të hedhë një hap të rëndësishëm drejt objektivit të madh: mbylljen e vitit në krye të renditjes. Sfida e së premtes pritet të jetë një nga më të fortat dhe më vendimtaret e këtij sezoni për ecurinë e kampionatit.

PANORAMASPORT.AL