Rrëzimi te Fresku, çiklisti spanjoll kujton aksidentin: Ishte gabimi im
Për herë të parë në histori Shqipëria priti një prej tre evenimenteve më madhore të çiklizmit botëror, siç ishte Xhiro e Italisë 2025, me tri etapat e para që kaluan nga vendi ynë.
Nëse “Nisja e Madhe” rezultoi një festë dhe një sukses i madh për Shqipërinë, ajo nuk ishte aspak fatsjellëse për një prej favoritëve të garës, siç ishte Mikel Landa. Çiklisti spanjoll pësoi një rrëzim të frikshëm që në etapën e parë, teksa zbriste në zbritjen pranë zonës së Freskut në Tiranë. Një aksident i rëndë, ku Landa pësoi fraktura në brinjë, duke u tërhequr rrjedhimisht menjëherë edhe nga kompeticioni. Tashmë, i rikuperuar plotësisht, 36-vjeçari është rikthyer të flasë për rrëzimin që pati në kryeqytetin shqiptar.
I pyetur nga “MARCA”, sesi e kujton atë aksident dhe si e rindërton atë që ndodhi, Landa shprehet: “Në fillim e mendoja shumë herë. Besoj se ishte një gabim imi. Çiklisti që ishte përpara nuk po zbriste shumë i sigurt, unë po i lija hapësirë dhe pastaj po e reduktoja diferencën, dhe në një nga kthesat u mbylla paksa. Ai ndryshoi trajektoren, unë nuk munda ta korrigjoja dhe rashë drejt e në tokë. Nuk e kam menduar më tej. Ndodhi dhe tani duhet të shohim përpara. Tani ndihem mirë. Mendoj se më në fund jam rikuperuar plotësisht. Gjatë pushimeve u deshën rreth tre ose katër javë që të zhdukeshin shqetësimet. Kam forcuar zonën e dëmtuar, jam stërvitur mirë dhe po ec përpara pa probleme”, deklaron çiklisti i skuadrës Soudal.
PANORAMASPORT.AL













