Rrethi Çiklistik, Remeijer prenoton fanellën e verdhë. Shqipëria dhe Kosova në fund të klasifikimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2026 | 9:54

Rrethi Çiklistik, Remeijer prenoton fanellën e verdhë. Shqipëria dhe Kosova në fund të klasifikimit

Rrethi i 83-të Çiklistik ka patur dje ndalesën e parafundit, teksa u zhvillua etapa e katërt, Vlorë-Vlorë (148.8 km). Një garë shumë e rëndësishme për verdiktet finale të kompeticionit, me çiklistët që u thirrën në apel për të matur forcat në rrugën me itinerar nga Vlora, për të vijuar në Llogara – Himarë – Qeparo – Kuç dhe me përfundim në Vlorë. Siç edhe pritej, gara dhuroi rivalitet dhe emocione, ndërsa triumfi i takoi holandezit Niels Reemeijer.

Screenshot 2026-05-22 095332

Çiklisti i skuadrës “Wielerploeg Groot Amsterdam” mbërriti i pari në finish, duke regjistruar kohën 4:01:20, për të lënë pas me 8 sekonda grekun Georgios Bouglas dhe shokun e tij të skuadrës Jip Schouren. Gëzim i dyfishtë për Reemeijer, i cili përveç fitimit të etapës ka marrë edhe fanellën e verdhë të liderit në renditjen e përgjithshme. Holandezi kryeson me +12 sekonda nga zvicerani Guillaume Haldimann (Humard VP) dhe tashmë thuajse e ka të hipotekuar suksesin final në edicionin e 83-të të Rrethit Çiklistik të Shqipërisë, për vetë faktin që etapa e pestë dhe e fundit, Vlorë-Fier, është një garë fushore, që nuk lë shumë vend për përmbysje.

“Jam shume i kënaqur me fitoren në një garë shumë të vështirë. Kishte mjaft konkurrencë të fortë dhe etapa kishte disa pjesë të vështira malore. Por në fund ia arrita të shkëputem nga grupi i madh dhe të dal i pari. Tani jam edhe lideri i Turit të 83-të Çiklistik të Shqipërisë dhe shpresoj që të fitojë etapën e të jem fituesi i këtij edicioni”, deklaroi Reemeijer, pasi mori trofeun e etapës nga presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku.

Ndërkohë, për sa u përket çiklistëve të Shqipërisë, rezultatet kanë qenë modeste, teksa Gabriele De Fabritiis ndodhet në vendin e 29-të, me 8 minuta e 12 sekonda vonesë nga kreu. Duke kaluar në rang ekipor, Wielerploeg Groot Amsterdam marshon e sigurt drejt triumfit. Ndërkohë, Shqipëria ka rrëshqitur në vendin e parafundit, duke iu bashkuar Kosovës në fundin e tabelës. Paraqitje anonime nga kuqezinjtë dhe “Dardanët”, ndërsa Shqipëria mund të gëzohet vetëm me pjesën organizative të kompeticionit si dhe me promovimin e bukurive natyrore të vendit.

Screenshot 2026-05-22 095244

Screenshot 2026-05-22 095253

PANORAMASPORT.AL