Rrethi Çiklistik, Fedor fiton me sprint etapën Lezhë-Elbasan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2026 | 9:05

Rrethi Çiklistik, Fedor fiton me sprint etapën Lezhë-Elbasan

Rrethi i 83-të Çiklistik i Shqipërisë ka zh villuar dje etapën e dytë, Lezhë-Elbasan (149.9 km). Një etapë e karakterit fushor, që nxori në pah aftësitë e çiklistëve të shpejtësisë. Samuel Fedor i skuadrës Dukla Banska Bystrica triumfoi pas një pedalimi të fortë në sprintin final, me një grup të madh prej 72 çiklistësh që mbërritën në finish.

Screenshot 2026-05-20 090442

Sllovaku regjistroi kohën 3:06:26, duke u ngjitur në shkallën më të lartë të podiumit për këtë garë. Në vend të dytë u rendit zvicerani Guillaume Haldimann, çiklist i skuadrës Humard VP, ndërsa treshja e parë u kompletua nga belgu Lance Decabooter, sportist i ekipit BClose Bal-Enzo. Pozicionimin më të mirë nga çiklistët e Shqipërisë në këtë garë e arriti Gabriele De Fabritiis, i cili u rendit në vendin e 35-të. Për sa i përket fanellës së verdhë, Kjell Cooman vijon të jetë lider në Rrethin e 83-të Çiklistik të Shqipërisë.

Belgu i skuadrës B-Close Bal-Enzo kryeson me 7 sekonda avantazh nga Iustin-Ioan Vaidian i Rumanisë. Në vendin e tretë të klasifikimit të përgjithshëm ndodhet Zvicerani Guillaume Haldimann, i cili ka 16 sekonda disavantazh nga lideri i garës. Për u përket dyrrotakëve kuqezi, pozicionimin më të mirë e mban De Fabritiis, i 29-ti, me +22 sekonda nga kreu.

Ndërkohë, duke kaluar në renditjen ekipore, belgët e B-Close Bal-Enzo janë në vendin e parë pas dy etapave, ndjekur nga Kombëarja e Rumanisë me 3 sekonda vonesë dhe sllovakët e Dukla Banska Bystrica (+0:12). Shqipëria, e cila futej me ambicie, nuk ka arritur që të lërë shumë gjurmë në dy garat e para, ndërsa mban vendin e 14-të mes 17 skuadrave, duke shënuar 13 minuta e 4 sekonda vonesë nga kreu. Sot do të jetë radha për etapën e tretë, Elbasan-Vlorë (172.4 km).

Screenshot 2026-05-20 090251

Screenshot 2026-05-20 090315

PANORAMASPORT.AL