Rivalitet i zjarrtë mes Elbasanit dhe Partizanit, bastet dhe statistikat kundër “demave”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2025 | 13:01

Rivalitet i zjarrtë mes Elbasanit dhe Partizanit, bastet dhe statistikat kundër “demave”

Partizani dhe AF Elbasani kanë prodhuar gjithmonë gola në pesë ndeshjet e luajtura. Viti 2025 ka parë tri përballje mes dy ekipeve dhe gjithmonë është parë një fitues. Po ashtu ekipi humbës, nuk ka provuar golin. Partizani në Elbasan përballë klubit të ri, AF Elbasani, nuk e ka provuar fitoren. Në tetorin e kaluar mes tyre, luhej sfida e mbyllur 1 me 1. Agim Zeka shënonte në transfertë, që ishte edhe përballja e parë në histori mes dy ekipeve.

partizani elbasani

RIVALITETI- AF Elbasani mbetet një emër i ri për futbollin shqiptar, megjithatë ndaj Partizanit në pak kohë është treguar rivalizues. Nga pesë ndeshje, dy janë fituar nga verdheblutë dhe vetëm një triumf i përket Partizanit. Një fitore 2 me 0, që ishte edhe më e rënda pasi solli pjesëmarrjen në “Final Four”. Po ashtu janë 11 gola në pesë ndeshje të luajtura, që tregojnë se rezultati i bardhë do të ishte rastësi për një përballje të tillë.

Partizani ndaj rivalëve të tjerë në futbollin shqiptar, regjistron bilanc pozitiv. E njëjta gjë nuk mund të thuhet në kaq pak kohë ndaj AF Elbasanit. Trofetë dhe historia janë avantazhi i madh, që Partizani ka përballë klubit me të cilit mat sot forcat. Edicionin e kaluar, të dy bashkë rivalizuan për vendin e fundit në “Final Four”. Partizani doli fitues dhe siguroi Europën, përveçse vijoi garën për titullin kampion.

GOLASHËNUESIT- Fatjon Bunjaku shënoi golin e vetëm të ndeshjes së kaluar. Musta, me statusin e “ish”-it, është lojtari me tre gola në përballjes mes dy skuadrave. Dy prej tyre janë shënuar me penallti. Tek Elbasani janë po ashtu Ze Gomesh dhe Tsage, që kanë provuar shijen e golit. Zeka, Eleke, Mba, Preka dhe Janjeva janë autorët e golave nga Partizanit.

SHANSET DHE BASTET- Partizanit i jepet vetëm 29% probabilitet për fitoren në Elbasan. Vendësit janë favoritë me 46% mundësi. Barazimit i mbeten 25%. “Football Meets Data” jep këtë vlerësim, duke treguar se mundësitë më të mëdha janë për fitoren e Elbasanit. Plot 11 pikë më tepër se Partizani regjistrojnë verdheblutë, që e luajnë këtë sfidë pa presion. Objektiv mbetet kreu i “Final Four”.

Në anën tjetër te Partizani tregojnë po ashtu se objektiv mbetet “Top 4” e Superiores, megjithatë aktualisht po mundohen që të grumbullojnë sa më tepër pikë për t’ju larguar zonës së ftohtë. Ekspertët e basteve thanë fjalën e tyre, rreth 24 orë para ndeshjes. Fitorja e Elbasanit ka koeficientin e favorshëm 1.7. Në anën tjetër do ishte surprizues triumfi i Partizanit sipas basteve, pasi si rrallë herë kuotohet me koeficientin 4.7. Barazimit i është vendosur fillimisht kuota 3.3. Forma e këtij edicioni, por edhe gjatë gjithë vitit, bën që fitorja e Partizanit të shikohet si bast i rrezikshëm.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL