Rikthimi i Martinit në konferencë, trajneri i Vllaznisë i sqaron të gjitha: Përballje me Ilir Dajën? Nuk e konsideroj të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2025 | 13:27

Rikthimi i Martinit në konferencë, trajneri i Vllaznisë i sqaron të gjitha: Përballje me Ilir Dajën? Nuk e konsideroj të…

Edi Martini u paraqit sërish në konferencë për shtyp, ndërsa në prag është ndeshja Vllaznia-Dinamo. Deklaratat nga ana e trajnerit të Vllaznisë ishin të bujshme.

Screenshot 2025-11-07 132647

Ogur i mirë rikthimi në konferencë? Shpresoj të jetë ogur i mirë. Kam qejf të rri larg, por ka momente që duhet të jem sepse janë disa situata që nuk më pëlqejnë prej kolegëve të mi trajnera. E shoh që në çdo ndeshje, ose çdo pas ndeshje, sulmojnë egër arbitrat. Njëri thotë ti nuk duhet të arbitrosh më, tjetri thotë kamera, tjetri… Dmth është një presion që po i bëhet arbitrave në maksimum. Unë jam ndëshkuar me karton të kuq për asgjë, ndeshjen e parë të kampionatit. Shoh që këto trajnerë që bërtasin, munden të bëjnë gjithçka, nuk po dënohen, nuk po marrin karton të kuq, edhe me fjalët që thonë pas intervistave. Ka raste që duhet të kuptojnë që edhe Shkodra ka zot.

E kam fjalën për ndeshjen e fundit me Egnatian. Nuk e kuptoj, gjyqtarët e FIFA-s duhet të kenë autoritet pak më tepër. Të shash nga fillimi deri në fund, siç ishte rasti i Aleksit që shante pafund edhe arbitrat, por edhe në pushimin e ndeshjes i bënin presion arbitrave, apo edhe pas ndeshjes. Nuk më pëlqejnë, duhet të kenë më autoritet sepse pastaj agravohet situata dhe nuk është mirë për futbollin shqiptar.

Dinamo? Normal që është një sfidë shumë e vështirë. Dinamo ka një ekip të mirë, që pretendon, por e shoh që janë të trembur, si Egnatia dhe Dinamo. Mënyra si ata komunikojnë pas ndeshjeve, në intervista dhe konferenca për shtyp janë shumë të trembur sepse e dinë që ne jemi këtu dhe jemi më të mirë se ata.

Mungesat? Nuk do të jetë Bismark, Dros, pjesa tjetër është OK. Normalisht me gjendjen e tyre që nuk e kanë të mirë sepse Qato dhe Murataj kanë pak që janë bashkuar me grupin. Pjesa tjetër janë në rregull. Pres një ndeshje që… ta harrojnë ata që në Shkodër luhet futboll i hapur, ta harrojnë që mund të gjejnë një atmosferë të tillë. Kjo është një fushë që kam 11 gladiatorë në fushë dhe jemi gati të presim këdo.

Bismark? Jam në kontakt me të, stërvitet në palestër. Do më shumë se ne që të jetë në fushën e lojës sepse Vllazninë e konsideron si ekip ku duhet të japë maksimumin. Por edhe si ekip që të jetë trampolinë për t’u shitur jashtë. Më tepër se ai nuk e vuan asnjë. Ai para katër ditëve ka bërë injeksion në kavilje. Shpresojmë që shumë shpejt do e kemi në fushën e lojës. Pas ndeshjes së Kombëtares, jam i bindur 99%.

Minutat e fundit? Ne punojmë çdo ditë. Jo më kot e kam thënë, djemtë e mi janë më të mirët. Mundohem të diskutoj çdo ditë me të, që t’i bind sepse realisht po them një të vërtetë, jo për t’ja bërë qejfin atyre. Na duhet të mos kemi frikë për të fituar. Ka momente që duhet të luash pistë dhe në çdo mënyrë për ta fituar. Ne realisht jemi ekip “fair play”, nuk bëjmë veprime të tilla, por gjithsesi është gjë që duhet rregulluar.

Murataj dhe Qato në 100%? Nuk janë, as njëri as tjetri. Ndoshta Murataj pak më tepër se Qato, por vijnë pas një periudhe dëmtimi, pak stërvitje me grupin, por gjithsesi janë pjesë e rëndësishme e jona.

Përballje trajnerësh me Dinamon? Nuk e konsideroj të tillë, unë konsideroj një ndeshje me rival direkt në fushën e lojës. Të bëjmë lojën siç kemi bërë në “Loro Boriçi” dhe shpresoj e besoj të fitojmë.

Do ketë lëvizje në formacion? Dhe sikur, nuk do e thoja, megjithatë pak apo shumë është njëjtë.

Mbrojtësi boshnjak? Është një sportist i mirë. Sot me gjendjen që ka mund të futet të luajë. Problemi është se matem shumë kur ta fus, mos ta fus në ndeshje që janë thikë sepse mund ta dëmtojmë, të bëjmë ndeshje të keqe dhe mund ta humbim. Do e fusim gradualisht, ndoshta edhe nesër po të kemi nevojë. Është lojtar i mirë që do na ndihmojë gjatë kampionatit.

Presion për pikët? Momentalisht kemi mbyllur fazën e parë në vend të parë. Ka filluar faza e dytë, kemi luajtur në Rrogozhinë, kemi 2 pikë minus. Ndeshjen e dytë të fazës së parë kemi humbur me Dinamon, shpresoj që ndeshja e dytë e fazës së dytë, të na gjejë më shumë se faza e parë.

Ne jemi të përqëndruar maksimalisht, kemi disa javë në vend të parë. Është më e thjesht të dalësh se ta ruash sepse trysnia është shumë e madhe. Me ekipin, personalitetin dhe pjekurinë që kemi, mendoj se do vazhdojmë ta mbajmë.

“Loro Boriçi”? Mendoj se është shumë e rëndësishme përkrahja e tifozëve tonë. Duhet t’i kërkoj edhe një ndjesë sepse kishim shumë tifozë edhe në Rrogozhinë, edhe më vjen keq që në ato minuta pësuam gol. Janë arma jonë e fortë, janë ADN-ja jonë, mendoj bashkë me ta të vazhdojmë këtë ecuri.

Kevin Zefi? Është djalë i talentuar, shkodran që ka qenë pjesëtar i ekipit të Interit, është lojtar i Interit, momentalisht ka luajtur me  Romën. Dëshira e tij është të vijë të luajë në Shkodër. Po presim dokumentacionin e duhur. Është një djalë mjaft i mirë, punëtor, i pëlqen që të luajë në Shkodër. Shpresoj të biem dakord me ekipet si Interi dhe Roma, dhe ta kemi sa më shpejt pjesë të ekipit.

Vllaznia sërish në formë nesër? Mendoj që po.

Ndonjë lëvizje “big” në janar për merkaton? Për mua gjithë ekipi im është “big”, nuk kam ndonjë lojtar që nuk është. Mendoj se deri në janar kemi kohën e duhur, ne do vazhdojmë t’i shohim ndeshjet njëra pas tjetrës sepse janari vjen shpejt. Nëse kemi vend për riparim, do e riparojmë, siç mund të largojmë ndonjë që nuk është aty ku duhet.

Ndonjë peng? E di ku do të dalësh, mendoj se çdonjëri po bën mirë. Pranohen edhe gabimet e gjithsecilit. Unë kam parim, te çdo lojtar i imi nuk filloj te gjërat e këqija, por të mirat. Kur them ka këtë të mirë dhe atë, pastaj përmend edhe një të keqe që ka. Fatkeqësisht në Shkodër përmendin një, dy apo tre të këqija, pastaj thonë të mirat. Unë preferoj ta shoh gotën gjysmë plot, çdo lojtar që kam është shumë i vlefshëm dhe dobishëm. Plus janë djem të mirë, janë me karakter, që mendojnë për futbollin, të ardhmen e tyre dhe Vllazninë.

PANORAMASPORT.AL