Revolucioni i së Parës, Bylisi pret vendimet për Mirel Josën dhe jo vetëm
Bylisi ndodhet tashmë në pushimet verore, ndërsa deri më tani klubi nuk ka bërë asnjë lëvizje zyrtare. Mallakastriotët fi llimisht presin të mësojnë se në cilën kategori do të luajnë sezonin e ri dhe më pas fokusi do të kalojë te ndërtimi i organikës. Bylisi pritet të jetë mjaft aktiv në merkato, ku parashikohen jo vetëm shitje të rëndësishme, por edhe afrime të reja. Në Ballsh nuk do të përqendrohen vetëm te lojtarët brenda grupit aktual, por po monitorohen edhe elementë të talentuar nga kampionatet U-19, si dhe nga Kategoria e Parë dhe e Dytë, kryesisht futbollistë nën 20 vjeç.

Kjo është një strategji që klubi e ka ndjekur edhe në vitet e fundit. Ditët e para të muajit të ardhshëm pritet të jenë vendimtare për klubin, sidomos në aspektin e merkatos. Ballshiotët kanë qenë ndër skuadrat më aktive në çdo sezon, madje vitet e fundit kanë dominuar tregun e shitjeve të lojtarëve në Superiore. Sezonin e kaluar, disa futbollistë të Bylisit arritën të spikasnin edhe në ekipet kombëtare. Arli Përgjoni u grumbullua nga Kombëtarja A, ndërsa Aurel Marku dhe Fabjan Përndreca ishin titullarë të rregullt me ekipin U-21.
Po ashtu, mesfushori Petro Marku u aktivizua me Kombëtaren U-17. Klubi pritet të ndjekë të njëjtën strategji edhe për sezonin e ardhshëm, ku parashikohen lëvizje të shumta. Një tjetër çështje që mbetet për t’u sqaruar është ajo e pankinës.
Trajneri Mirel Josa zhvilloi një punë pozitive në Ballsh dhe nuk përjashtohet mundësia që bashkëpunimi të vazhdojë edhe sezonin e ardhshëm. Eksperienca e Josës konsiderohet një ndihmë e madhe për objektivin e rikthimit të menjëhershëm në elitë. Skuadra pritet të pësojë ndryshime të shumta, pasi disa lojtarë mund të shiten, ndërsa të tjerë do të largohen për shkak të përfundimit të kontratave. Megjithatë, aktualisht në Ballsh mbizotëron atmosfera e pushimeve, teksa një pjesë e lojtarëve të huaj dhe jabanxhinj janë kthyer pranë familjeve të tyre, në qytetet dhe shtetet përkatëse.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













