Raundi i dytë në Ligën e Konferencës/ Egnatia në siklet, organikë e cunguar për Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2025 | 8:16

Raundi i dytë në Ligën e Konferencës/ Egnatia në siklet, organikë e cunguar për Dinamon

Egnatia ka hyrë në ditët vendimtare të përgatitjeve për përballjen ndaj Dinamos së Minskut, në kuadër të raundit të dytë të Ligës së Konferencës.

Egnatia-vs-Dinamo-City

Ndeshja e parë do të luhet të enjten në transfertë në orën 20:45 dhe skuadra rrogozhinase po stërvitet me ritëm të lartë për të qenë gati për këtë sfidë të rëndësishme europiane. Pavarësisht se vjen pas një disfate të rëndë 5-0 ndaj Breidablik në Islandë, që i dha fund aventurës në Champions, Egnatia po mundohet të lërë pas atë humbje dhe të rikthehet me energji të reja. Morali i skuadrës ka pësuar goditje, por stafi teknik dhe drejtuesit po punojnë për ta rikthyer besimin në grup, me fokus te një tjetër mundësi për të lënë gjurmë në arenën ndërkombëtare.

ORGANIKË E CUNGUAR – Në prag të kësaj sfide, Egnatia përballet me një situatë delikate në aspektin e organikës. Skuadra rrogozhinase ka një grup të reduktuar lojtarësh, ku shqetësimi kryesor lidhet me mungesën e theksuar të alternativave në stol. Mjafton të thuhet se ndaj Breidablik ishin vetëm shtatë rezerva, midis tyre njëri portier, ndryshe nga kundërshtari që kishte plot 12- të lojtarë më stol. Aktualisht, Egnatia vështirë se arrin të plotësojë listën minimale prej 20 lojtarësh për ndeshje zyrtare, çka i jep sinjal të qartë stafit teknik se manovrat dhe zëvendësimet do të jenë të limituara. Largimet e disa futbollistëve, dëmtimet, si dhe disa mungesa për arsye teknike, kanë bërë që skuadra të mbetet me një bërthamë të ngushtë, ku rotacioni është thuajse i pamundur. Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në mënyrën e menaxhimit të ndeshjes, pasi trajneri Edlir Tetova nuk ka shumë zgjidhje për të ndryshuar lojën nga stoli apo për të ruajtur freskinë e titullarëve. Në një periudhë kur përballjet ndërkombëtare kërkojnë intensitet dhe ritëm të lartë, mungesa e alternativave përbën një pengesë të madhe. Po t’i shtojmë këtu edhe mungesën e Serxho Ujkës, situata bëhet akoma edhe më e vështirë për Tetovën.

RIKTHEHET LUSHKJA – E vetmja rreze drite për Egnatian në këtë moment të vështirë është rikthimi në formacion i Regi Lushkjes. Mesfushori me tipare sulmuese ka lënë pas pezullimin për shkak të kartonëve dhe do të jetë i gatshëm për sfidën e parë ndaj Dinamos së Minskut. Prania e tij i jep më shumë ekuilibër dhe qartësi lojës së Egnatias në mesfushë, një repart që ka vuajtur ndjeshëm në ndeshjet e fundit. Rikthimi i Lushkjes është një lajm i mirë për trajnerin Tetova, që në kushtet e mungesës së alternativave ka nevojë për lojtarë me eksperiencë dhe personalitet. Ai pritet të jetë një nga pikat kyçe të ekipit në përballjen e së enjtes, duke marrë në dorë komandën e mesfushës dhe duke ndihmuar në organizimin e lojës në të dyja fazat, atë mbrojtëse dhe sulmuese.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL