Rasti Xhemajli bën të “dridhet” Superiorja, ja cilët kampionate mund të “rrëmbejnë” futbollistë nga ekipet kryesore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2026 | 23:55

Rasti Xhemajli bën të “dridhet” Superiorja, ja cilët kampionate mund të “rrëmbejnë” futbollistë nga ekipet kryesore

Arbenit Xhemajli po bëhet gati t’i japë lamtumirën Superiores, të paktën sipas asaj që la të kuptohej vetë mbrojtësi i Egnatias. Një nga shtyllat e ekipit rrogozhinas, ai bëri të ditur se brenda një kohe të shkurtër do të mësohej diçka më shumë rreth të ardhmes së tij, duke mos e fshehur dëshirën për largimin.

transferimet merkato (1)

Kjo nuk është hera e parë që lojtarë të rëndësishëm largohen nga klubet e Superiores në mes të sezonit, por rasti i Xhemajlit është paksa më i veçantë, pasi do bëhej fjalë për një largim pasi është mbyllur merkato e janarit dhe klubi I Egnatias do ta kishte të vështirë të zëvendësonte një futbollist të tillë. Me oferta të rëndësishme financiare, një situatë të ngjashme mund ta përjetojnë edhe skuadra të tjera të elitës, pasi ka disa kampionate në Europë të cilat nuk e kanë mbyllur ende merkaton e tyre.

Këtu përfshihen kampionatet e vendeve nordike si Islanda, Norvegjia, FInlanda, Suedia e Letonia. Ato që duhet të shqetësojnë më shumë në fakt janë Polonia dhe Ukraina të cilat kanë marrë shpesh futbollistë nga klubet shqiptare, me oferta të rëndësishme ekonomike e që garantojnë edhe një nivel më të lartë futbolli. Ndërkohë merkato e hapur është edhe në kampionatet e Bullgarisë, Irlandës, Sllovakisë, Moldavisë, Bjellorusisë apo Kazakistanit.

Jashtë Europës, janë ende shumë kampionate të tjera me merkaton e hapur, nga ku klubet shqiptare mund të marrin oferta tunduese për yjet e tyre, sidomos ato të vendeve aziatike, të cilat ofrojnë kontrata të majme edhe për vetë futbollistët.

PANORAMASPORT.AL