Rast i paprecedent te Partizani/ Dilema e së dielës, a do të ketë “mrekulli” të kuqe?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2025 | 14:54

Rast i paprecedent te Partizani/ Dilema e së dielës, a do të ketë “mrekulli” të kuqe?

Oltijon Kërnaja është kryefjalë te Partizani, nga data 7 tetor. Bashkë me stafin e tij ka mbushur tashmë një muaj, që drejton dy ekipe në klubin e kuq. Rast i paprecedentë, që mund të prodhojë një mrekulli ditën e diel. Ekipi i parë dhe ai B kanë të programuara dy transferta. Dilema është nëse do të ketë mrekulli, dhe Kërnaja do i drejtojë sërish të dyja skuadrat. Mundësitë janë të mëdha, që këtë herë trajneri 37-vjeçar të heqë dorë nga ekipi B.

kernajaaa

KATEGORIA E DYTË- Partizani ka të programuar fillimisht ndeshjen e ekipit B. Të kuqtë do të masin forcat me Shkumbinin në Peqin, prej orës 13:00. Shkumbini ndodhet në pozitë delikate, pasi me vetëm një fitore numëron 3 pikë. Për shkak të tri humbjeve të tjera mban vendin e shtatë në renditje. Partizani B me 12 pikë më tepër se Shkumbini ndodhet në krye të renditjes, ndërsa numëron edhe një ndeshje më shumë të luajtur.

KATEGORIA SUPERIORE- Të dielën është në axhendë edhe ndeshja Teuta-Partizani, pikërisht nga ora 17:00. Ky takim do të marrë jetë në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Për herë të parë në këtë edicion, ka përplasje të ekipit të parë me atë B. Dy ndeshje brenda ditës, që pengojnë edhe skuadrat të kenë maksimumin e mundshëm të lojtarëve në dispozicion.

48 KILOMETRA- Të dyja stadiumet i ndajnë 48 kilometra nga njëri-tjetri. Kërnaja do të kishte dy orë në dispozicion, deri te fillimi i ndeshjes së ekipit të parë. Një sakrificë që do të prodhonte rast unik në futbollin shqiptar. Fakt është se Partizani B nuk e ka presionin e ekipit A. Deri tani ka bërë mjaft mirë.

NDESHJET- Kërnaja me stafin e tij kanë përgatitur shtatë ndeshje, mes ekipit të parë dhe B, që nga data 7 tetor. Me Partizanin janë regjistruar dy barazime, dhe nga një fitore dhe humbje. Në total bëhet fjalë për 5 pikë. Ndryshe situata tek ekipi B ku në tre takime janë arritur vetëm fitore. Aktualisht Partizani mban vendin e tetë në renditjen e Superiores, ndërsa ekipi B atë të parë te Kategoria e Dytë.

ALTERNATIVAT- Mbetet për t’u parë si do e zgjidhin këtë situatë të kuqtë, pasi duhet thënë se i njëjti staf po punon prej një muaji me dy ekipe. Fatjon Muhameti, trajner i ekipit U-19 qëndron ndërkohë i gatshëm sialternativë për çdo rast. Një rekord është vendosur nga Kërnaja me stafin e tij, teksa brenda 24 orëve janë drejtuar tri ndeshje të ndryshme prej tyre. A do të ketë sërish një rast të paprecedent me klubin historik shqiptar? Mbetet për t’u parë.

Screenshot 2025-11-07 145308

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL