Qitje me ajër, shpallen kampionë, por ka radhë me armët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2014 | 13:45

Qitje me ajër, shpallen kampionë, por ka radhë me armët

qitjeFederata Shqiptare e Qitjes organizoi në fundjavë në poligonin “Rexhep Ramaj” kampionatin kombëtar të qitjes me ajër. Si të mos mjaftojë vonesa në çeljen e fondeve grant, një avari elektrike në “Qytetin Studenti” shtyu aktivitetin për ditën e radhës duke detyruar sportistët e Beratit tërheqjen për shkak të kostos financiare. Me rikthimin e energjisë elektrike, garat vijuan sipas programit. Në pistoletë femra me trajnere Shpresa Kotrri, tre vendet e para u zunë nga sportistet e Tiranës dhe titulli kampion u fitua nga Marjana Mata me 367 pikë. Studenti me trajner Alush Alla merr revanshin në ushtrimin e pushkës, ku vendin e parë e zuri Anila Sevo me 366 pikë, e ndjekur nga Lumturi Pepa e Dhurata Prifti nga 356 e 351 pikë. Sakaq ushtrimi i pistoletës për meshkuj kurorëzoi kampion Arben Cerinën të Studentit me trajnere Djana Mata, kurse vendi i dytë dhe i tretë u nda mes dyshes së qitësve të Elbasanit Agim Rama dhe Klevis Hida, respektivisht nga 560 e 553 pikë. Elbasani u nderua me titullin kampion në pushkë me Olsi Avllazagaj me 523 pikë, me trajner Klevis Hidën. Floren Nuredini u rendit i dyti, kurse Rajter Shima i treti. Ndërsa falënderoi shefin e klubit “Studenti”, Blendi Nallbani, për masat e marra, gatishmërinë dhe premtimin për përmirësimin e infrastrukturës, sekretari i përgjithshëm i federatës, Koço Mikerezi, shprehu keqardhjen për mungesën e bazës materiale. “Problem për ne mbeten armët. Për shkak të bazës materiale të limituar, detyrohemi që me një armë të garojnë 2-3 veta, duke pritur radhën. Por kjo reflektohet në zgjatjen e garës. Pra nisim rreth orës 9 të mëngjesit dhe e mbylli rreth orës 4 pasdite. Kjo është shqetësuese”.

REZULTATET
FEMRA
Pistoletë
Marjana Mata (Tirana) 367 pikë
Edlira Shyti (Tirana) 358
Sibora Dingu (Tirana) 338
Pushkë
Anila Sevo (Studenti) 366
Lumturi Pepa (Studenti) 356
Dhurata Prifti (Studenti) 351
MESHKUJ
Pistoletë
Arben Cerina (Studenti) 566
Agim Rama (Elbasani) 560
Klevis Hida (Elbasani) 553
Pushkë
Olsi Avllazagaj (Elbasani) 523
Florenc Nuredini (Tirana) 511
Rajter Shima (Tirana) 495