Qendërmbrojtësi Imami: Nuk e prisja ndarjen me Vorën, por s’është fundi i botës
Eni Imami, futbollisti 32-vjeçar, që ka bërë karrierë si qendërmbrojtës, pa e ndryshuar asnjëherë rolin, tashmë nuk do të jetë më pjesë e Vorës. Marrëdhëniet midis tij dhe klubit vorak janë ndërprerë pas fitimit të titullit kampion në Kategorinë e Parë.

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” Imami nuk e fsheh zhgënjimin për mungesën e rinovimit, pasi nuk e priste vendimin e marrë. Por ai gjen forca për të vazhduar dhe të mos ndalojë së luajturi.
Nuk keni rinovuar me Vorën, ku do të shijonit një tjetër sezon në Superiore. Cili është mendimi juaj për këtë vendim?
Më vjen keq, sepse kam bërë një sezon të mirë e besoj se, duke u bazuar edhe në statistika, unë ndihesha një lider në ekip. Nuk e prisja aspak të mos rinovoja. Megjithatë, jeta vazhdon dhe kjo nuk është kurrsesi fundi i Botës.
A do të jetë ky fundi i karrierës suaj apo Imami ka ende forca për të vijuar me ndonjë ekip tjetër?
Absolutisht që nuk ndalem. Jam vetëm 32 vjeç dhe kjo tregon se jam ende i ri dhe mendoj se është mosha më e pjekur në karrierë. Dihet që futbollistë në moshë 30-35 vjeç luajnë në nivele të larta për t’i dhënë futbollit. Ne shohim edhe futbollistë 38-39 vjeç në këto nivele, që po kontribuojnë maksimalisht. E aq më shumë në Shqipëri, që futbolli është shumë larg tyre. Disa njerëz kanë mbetur ende para 10 vitesh, me idenë se, po kalove të 30-tat, quhesh lojtar i vjetër. Kur je 20-vjeçar, të quajnë lojtar i ri. Sipas tyre, i bie që karriera të jetë vetëm 10 vjet. Kur duhet të quhesh futbollist, sipas tyre?
Luajtët me Vorën dhe i dhuruat titullin kampion, por keni fituar më parë me ekipe të tjera të gjitha trofetë, çfarë ju mbetet peng?
Gjatë karrierës time, unë jam i ngopur me medalje e trofe dhe asgjë nuk më mbetet peng. Dëshira ime ishte të luaja përsëri në Superiore, sepse ndihesha komod te Vora. U mësova me të gjithë njerëzit aty. Peng unë nuk kam asgjë. Kudo që kam luajtur, unë kam dhënë maksimumin në çdo ndeshje e aq më shumë te Vora.
Do të kërkoni ekip tjetër të këtij niveli apo në Kategorinë e Parë?
Tani po pres me qetësi dhe të shohim se çfarë do të vendos në vazhdimësi. Sigurisht, dëshirën e kam të luaj në ekipe me pretendime, sepse, për mua, pa motivim, s`ka kuptim, kështu që të shohim se çfarë do të më rezervojë e ardhmja.
Cilat janë mbresat e fundit për Vorën, si klub dhe drejtuesit e saj?
Te Vora kam kaluar shumë mirë dhe ndjesia e respekti mbetet aty. Unë i uroj më të mirat këtij klubi dhe suksese.
ABDULLA DUSHKU
32-vjeçari
Statistikat e Imamit, ka veshur 10 fanella
Eni Imami ka luajtur me 10 klube futbolli në 14 sezone futbollistike deri më tani. Me skuadrën ku u lind dhe u rrit si futbollist, Dinamo, është aktivizuar më shumë, në kategorinë Superiore dhe në Kategorinë e Parë. Dinamovitët, duke e pasur në pronësi, e kanë huazuar edhe te Laçi dhe Teuta, si dhe në Zvicër te “GC Biaschesi”. Më pas ka luajtur 3 sezone me Kukësin, për të vijuar me Tiranën, Skënderbeun, Flamurtarin dhe Vorën. Gjatë gjithë karrierës së tij si mbrojtës, Imami ka shënuar 7 gola. Eni Imami është një futbollist “i ngopur” me trofe, pasi numëron plot 6 të tillë, 3 si kampion, 1 Superkupë të Shqipërisë dhe dy Kupa të Shqipërisë. Ai është një nga futbollistët që ka sakrifikuar më shumë nga të gjithë të tjerët, duke qenë shtylla e qendrës së mbrojtjes për çdo ekip ku ka luajtur. Ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme. Sezoni i fundit për të ishte ai me skuadrën e Vorës, që u shpall kampione e Kategorisë së Parë. Në këtë kampionat, ai u aktivizua në 28 ndeshje, me një minutazh 2230 minuta. Në të shkuarën, Imami ka qenë edhe pjesë e kombëtareve të moshave, nga U-17, deri tek U-21.
PANORAMASPORT.AL













