Vlerësime për futbollistin e Kombëtares shqiptare, në Itali e quajnë lider

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2026 | 21:21

Vlerësime për futbollistin e Kombëtares shqiptare, në Itali e quajnë lider

Ardian Ismajli po del gjithnjë e më shumë si një nga figurat më të rëndësishme të Torinos në këtë fazë të re të projektit sportiv. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, i ardhur nga Empoli në verën e vitit 2025 së bashku me Tino Anjorin, ka arritur të fitojë besimin e stafit teknik dhe të shndërrohet në një pikë referimi në prapavijë, pavarësisht një sezoni të shoqëruar me probleme fizike.

ISMAJLI 1

Edhe pse dëmtimet e kanë ndalur disa herë gjatë sezonit, Ismajli ka treguar stabilitet sa herë ka qenë në dispozicion. Performancat e tij kanë qenë të konsoliduara dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në skuadër, duke i dhënë Torinos siguri në një repart që shpesh ka pasur luhatje. Kontributi i tij është vlerësuar, duke bërë që Ismajli të shihet si një nga lojtarët mbi të cilët mund të ndërtohet projekti i ri teknik.

VLERËSIMET- Sipas zhvillimeve në klub, Ismajli pritet të ketë një rol qendror në sezonin e ardhshëm, duke u konsideruar si një nga liderët e mbrojtjes granata. Stafi teknik e sheh si një element të besueshëm, mbi të cilin mund të ndërtohet një repart që pritet të ketë ndryshime të rëndësishme. Megjithatë, sfida kryesore për Ismajlin mbetet gjendja fizike. Problemet muskulore dhe ndërprerjet gjatë sezonit kanë ndikuar në vazhdimësi, duke e detyruar të humbasë disa ndeshje.

ISMAJLI 2

Për këtë arsye, menaxhimi i ngarkesës dhe rikuperimi i plotë fizik do të jenë vendimtarë për të ardhmen e tij. Në ambientin e Torinos, Ismajli konsiderohet tashmë një nga shtyllat e ekipit, ndërsa sezoni i ardhshëm pritet të jetë vendimtar për ta konsoliduar përfundimisht si lider të padiskutueshëm të mbrojtjes. Nëse arrin të ruajë vazhdimësi dhe formë optimale, mbrojtësi shqiptar mund të bëhet një nga pikat më të forta të skuadrës granata dhe pse jo për të tentuar një transferim më të madh.

PANORAMASPORT.AL