Legjendat pa kurorë/ Pesë kombëtaret që mahnitën, por dështuan të fitojnë Botërorin
Ndonjëherë humbësit kujtohen edhe më shumë se fituesit. Në historinë e Kupës së Botës ka pasur shumë ekipe të mëdha që nuk kanë arritur kurrë të fitojnë trofeun më prestigjioz të futbollit, por kjo nuk do të thotë se madhështia e tyre është harruar.

Më poshtë kujtojmë pesë nga kombëtaret ikonike, ndër më të fortat e kohës së tyre, që nuk arritën të fitonin Kupën e Botës. Madje, katër prej këtyre vendeve nuk e kanë fituar kurrë këtë trofe.
5. Portugalia – Botërori 1966
Portugalia ka pasur disa breza që mund të quhen pa frikë “të artë”. Ishte skuadra plot yje e viteve 1990, finalistët e Euro 2004, fituesit e Euro 2016 dhe ekipi i fortë që ka edhe sot. Megjithatë, 60 vjet më parë, Portugalia kishte një nga kombëtaret më të mira në botë. Në fillim të viteve 1960, Benfika mposhti radhazi Barcelonën dhe Real Madridin në finalet e Kupës së Europës. Nga viti 1960 deri në vitin 1965, “Shqiponjat” humbën vetëm një finale të Kupës së Europës dhe më pas luajtën një tjetër finale kundër Manccester Junajtid në vitin 1968.
Ekipi brilant i ndërtuar nga hungarezi Bela Gutman ishte një nga më të fortët në futbollin evropian dhe, po të mos ishte për “mallkimin” e famshëm të trajnerit, mund të kishte fituar edhe më shumë trofe. Pa dyshim, Benfika përbënte bërthamën e kombëtares portugeze. Eusebio, Antonio Simoes, Zhoze Augusto dhe Zhoze Torres formonin një repart sulmues fenomenal. Në mesfushë luante kapiteni Mario Koluna, i njohur me nofkën “Përbindëshi i Shenjtë”. Në Botërorin e vitit 1966, Portugalia shënoi më shumë gola se çdo ekip tjetër në turne, plot 17.
Eusebio realizoi nëntë prej tyre. Ishte pjesëmarrja e parë e Portugalisë në një Kupë Bote dhe menjëherë u shndërrua në sensacion. Ekipi fitoi grupin, duke mposhtur edhe Brazilin me rezultatin 3-1. Në çerekfinale, portugezët fituan ndeshjen legjendare kundër Koresë së Veriut me rezultatin 5-3, pasi ishin në disavantazh 0-3 brenda 25 minutave të para. Në gjysmëfinale, megjithatë, u ndalën nga Anglia, vendi organizator. “Ishte veçanërisht e vështirë të pranoja humbjen ndaj Anglisë në gjysmëfinale. Ende nuk jam rikuperuar prej saj. E kujtoj shpesh atë ndeshje dhe sa herë e bëj, zemra më del nga kraharori”, pranonte Eusebio në vitin 2010.
Kristiano Ronaldo është krahasuar shpesh me Eusebion, por legjenda portugeze nuk i pëlqente këto krahasime. “Nuk mund ta krahasosh rekordin tim me atë të Kristiano Ronaldos. Unë shënova 41 gola në 60 ndeshje, ndërsa Ronaldo ka luajtur mbi 100. Përveç kësaj, sot kombëtaret zhvillojnë shumë më tepër ndeshje kundër kundërshtarëve modestë. Unë nuk kam luajtur kurrë kundër Lihtenshtajnit apo Azerbajxhanit”, deklaronte ai.
4. Austria – Botërori 1934
Ka skuadra që bëhen legjenda falë futbollistëve të jashtëzakonshëm dhe ka të tjera që ndryshojnë vetë lojën. Në maj të vitit 1931, Austria mposhti Gjermaninë 6-0 në Berlin dhe fitoi nofkën “Wunderteam” – “Skuadra e Mrekullive”. Austriakët prezantuan një qasje krejtësisht të re ndaj futbollit, e njohur si “stili i Danubit” ose “dantella vjeneze”.
Në atë kohë askush nuk luante futboll më të bukur se ata. Edhe humbja 4-3 ndaj Anglisë tregoi superioritetin teknik dhe taktik të austriakëve. Trajneri Hugo Meisl ishte një vizionar i vërtetë. Ai ishte themelues i Kupës Mitropa, njihte tetë gjuhë dhe ishte ekonomist. “Të 11 lojtarët duhet të lëvizin vazhdimisht për ta bërë të pamundur parashikimin e lëvizjeve të tyre. Inteligjenca, shpejtësia dhe surpriza janë faktorët e suksesit”, ishte filozofia e tij. Lideri i skuadrës ishte Matias Sindelar, për të cilin gazetat e kohës shkruanin: “Është sikur të ketë tru në këmbë”.
Nga prilli 1931 deri në dhjetor 1932, Austria nuk humbi asnjë nga 14 ndeshjet e zhvilluara. Në vitin 1932 fitoi Kupën e Europës Qendrore dhe shkoi në Botërorin e vitit 1934 si një nga favoritët kryesorë. Pasi kaloi Francën dhe Hungarinë, Austria u eliminua nga Italia në gjysmëfinale, në një ndeshje të mbushur me polemika arbitrare. Më pas humbi edhe ndeshjen për vendin e tretë ndaj Gjermanisë. Pas aneksimit të Austrisë nga Gjermania naziste në vitin 1938, “Wunderteam” pushoi së ekzistuari. Sindelar refuzoi të luante për Rajhun e Tretë dhe vdiq në rrethana misterioze në vitin 1939, së bashku me partneren e tij hebreje. Rreth 20 mijë vjenezë morën pjesë në funeralin e tij.
3. Brazili – Botërori 1982
Shumë mund të argumentojnë se Brazili i viteve 1998 ose 2006 kishte më shumë yje, por skuadra e Tele Santanës konsiderohet ende si një nga ekipet më spektakolare që ka parë ndonjëherë futbolli. Në vitin 1979, trajneri i njohur si “Mësuesi” mori drejtimin e kombëtares braziliane. Filozofia e tij ishte e thjeshtë: Lojtarët më të mirë duhet të luajnë së bashku dhe talenti i tyre do të bëjë pjesën tjetër. Për Botërorin e vitit 1982, Santana mori me vete një skuadër pa një mesfushor tipik të krahut të djathtë, sepse sipas tij nuk kishte lojtarë mjaftueshëm cilësorë në atë rol. Në mesfushë kishte emra si Ziko, Falkao, Serezo dhe Sokrates. Ata jo vetëm që fitonin, por kërkonin ta bënin futbollin sa më estetik. Santana ishte një nga mbrojtësit më të mëdhenj të filozofisë “Joga Bonito”. “Futbolli pa goditje drejt portës është sabotim, jo art”, thoshte ai.
Para Botërorit, Brazili mundi Anglinë, Francën dhe Gjermaninë në miqësore. Në fazën e parë të turneut fitoi të tre ndeshjet, duke shënuar 10 gola dhe duke pësuar vetëm dy. Në fazën e dytë, brazilianët shkatërruan Argjentinën kampione në fuqi. Për të kaluar në gjysmëfinale u mjaftonte një barazim kundër Italisë, por humbën një ndeshje dramatike që mbeti në histori. “Në Kupën e Botës, të luash futbollin më të mirë është më e rëndësishme sesa vetë suksesi. Është një spektakël”, deklaroi Santana pas eliminimit. Edhe pse nuk fituan trofeun, në Brazil u pritën si heronj.
2. Holanda – Botërori 1974
Pak skuadra kanë lënë një trashëgimi kaq të madhe në futboll sa Holanda e vitit 1974. “Futbolli total”, “Holandezët Fluturues” dhe “Flaka Portokalli” janë vetëm disa nga emërtimet që i shoqëruan. Deri në fund të viteve 1960, Holanda nuk konsiderohej një superfuqi futbolli. Gjithçka ndryshoi me sukseset e Fejenordit dhe Ajaksit në Kupën e Europës. Ajaksi i Rinus Mishels fitoi trofeun tre herë radhazi dhe krijoi një brez të jashtëzakonshëm, të udhëhequr nga Johan Krujf. Para vitit 1974, Holanda kishte marrë pjesë për herë të fundit në Kupën e Botës në vitin 1938. Megjithatë, këtë herë pritshmëritë ishin të mëdha.
“Një ekip fiton vetëm kur ka topin”, thoshte Mishels, arkitekti i futbollit total. Në Botëror, Holanda mahniti botën. Në fazën e dytë të grupeve mposhti Argjentinën 4-0, Gjermaninë Lindore 2-0 dhe Brazilin 2-0. Krujf, Neskens dhe Xhoni Rep dominuan kundërshtarët. Në finale, megjithatë, Gjermania Perëndimore përmbysi rezultatin dhe fitoi 2-1. “Ne donim t’i poshtëronim gjermanët. Harruam të shënonim golin e dytë”, kujtonte më vonë Xhoni Rep. Mishels fitoi Euro 1988, por skuadra magjike e viteve ’70 humbi edhe finalen e Botërorit 1978 ndaj Argjentinës.
1. Hungaria – Botërori 1954
Ndoshta skuadra më e fortë e epokës bardhezi. Vetëm disa statistika mjaftojnë për të kuptuar madhështinë e “Aranycsapat” – “Skuadrës së Artë”. Hungaria shënoi 27 gola në një Botëror, rekord që vazhdon të mbetet ndër më të lartët në histori. Fitorja 9-0 ndaj Koresë së Jugut mbetet një nga rezultatet më të thella të turneut. Sandor Kocsis është ende lojtari i vetëm që ka realizuar dy gola në katër ndeshje radhazi të Kupës së Botës.
Pas Luftës së Dytë Botërore, trajneri Gusztav Sebes ndërtoi një skuadër të jashtëzakonshme me emra si Ferenc Pushkash, Kocsis dhe Czibor. Nga qershori i vitit 1950 deri në korrik të vitit 1954, Hungaria nuk humbi asnjë ndeshje zyrtare. Kulmi ishte fitorja historike 6-3 ndaj Anglisë në Uembli dhe më pas triumfi 7-1 në Budapest.
Në Botërorin e vitit 1954, hungarezët shkatërruan Korenë e Jugut 9-0, Gjermaninë Perëndimore 8-3 dhe Brazilin 4-2. Në gjysmëfinale eliminuan edhe Uruguain kampion në fuqi me rezultatin 4-2. Më pas erdhi finalja e famshme e njohur si “Mrekullia e Bernës”.
Hungaria kaloi në avantazh 2-0 brenda tetë minutash, por Gjermania Perëndimore përmbysi gjithçka dhe fitoi 3-2. Kjo humbje tronditi vendin. Tifozët protestuan në Budapest, ndërsa pas Revolucionit Hungarez të vitit 1956, skuadra legjendare u shpërbë. Pushkash, Czibor dhe Kocsis mbetën jashtë vendit dhe u shpallën tradhtarë nga regjimi komunist. Megjithatë, edhe sot, shumë historianë të futbollit vazhdojnë ta konsiderojnë Hungarinë e vitit 1954 si skuadrën më të madhe që nuk e fitoi kurrë Kupën e Botës.
PANORAMASPORT.AL













