Propozohen datat e kampionateve nga Komiteti Ekzekutiv, zbehen shanset për ndryshim formule në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2025 | 10:43

Propozohen datat e kampionateve nga Komiteti Ekzekutiv, zbehen shanset për ndryshim formule në Superiore

Në kohët e fundit është folur shpesh për një ndryshim të formatit të Superiores. Prej dy sezonesh, pas kampionatit të rregullt është shtuar edhe faza “Final 4”, ku katër ekipet e para, diskutojnë titullin kampion me një sistem eliminimi.

IMG_5060-scaled

Ndërkohë, në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, përveç miratimeve, nga sektori i garave janë propozuar edhe datat e fillimit të kampionateve kombëtare, ndërkohë që kjo do të thotë se zbehen shanset për një ndryshim të formulës për sezonin e ri.

Sakaq, miratime pati edhe në rregulloret e kampionatit, ndërsa u ndryshua edhe pika e lojtarëve të huaj që do të jetë pa limit nga sezoni i ardhshëm. “Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së u mblodh për të shqyrtuar dhe miratuar një sërë vendimesh të rëndësishme, që lidhen me zhvillimin e futbollit në vend.

Në qendër të diskutimeve në këtë mbledhje ishin përmirësimi i infrastrukturës sportive, përcaktimi i datave të reja për nisjen e kampionateve kombëtare, si dhe projekte të reja për mbështetjen e futbollit të vajzave. Një nga vendimet më të rëndësishme ishte ai për incentivimin e futbollit të vajzave, ndërkohë që u diskutua dhe u përcaktuan çmimet e biletave për katër ndeshjet e fazës ‘Final 4’.

Gjatë mbledhjes, u miratua kërkesa për ndërhyrje në stadiumin ‘Elbasan Arena’, në kuadër të organizimit të finaleve të Kampionatit Europian U-17, si dhe kërkesa për rikonstruksionin e pjesshëm të stadiumit ‘Durim Qypi’ në Përmet. Po ashtu, u miratua një investim në ‘Shtëpinë e Futbollit’ për sistemin e vaditjes së fushave stërvitore. Komiteti u njoh gjithashtu me propozimin për datat e fillimit të kampionateve kombëtare për edicionin e ardhshëm futbollistik, si dhe me disa ndryshime në rregulloret e aktiviteteve të kompeticioneve ‘Abissnet Superiore’, ‘Kategoria e Parë’ dhe ‘Kategoria e Dytë’”, thuhet në njoftim.

PANORAMASPORT.AL