Presidenti Topi dekoron sportin shqiptar
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi paraditen e djeshme në një ceremoni të veçantë figura të njohura në fushën e sportit. Mes të nderuarve për kontributin e dhënë në promovimin e sportit në gjithë karrierën sportive ka qenë Klodeta Gjini me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e sportit në vendin tonë, veçanërisht në sportin e atletikës si sportiste e talentuar dhe me shumë rekorde të shquara kombëtare”. Me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” presidenti Topi dekoroi edhe Hamdi Ukën me motivacionin: “Personalitetit të shquar të sportit, me kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e sportit të boksit dhe të mundjes si sportist i talentuar, si drejtues e trajner i shumë brezave të sportistëve të rinj”. Pjesë e nderimeve nga kreu i shtetit shqiptar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” ishin edhe Viron Bezhani (aktualisht shefi i misionit të kombëtares olimpike “Londër 2012”) me motivacionin: “Për kontribut të çmuar në zhvillimin e sportit shqiptar, si një nga promovuesit e Lëvizjes Olimpike në Shqipëri, veçanërisht në ngritjen cilësore të sportit të mundjes”. Gjithashtu u dekorua z.Lutfi Guri me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e sportit në vendin tonë, veçanërisht në sportin e atletikës si sportist i jashtëzakonshëm me shumë rekorde dhe si trajner i shumë brezave të atletëve të rinj”. Në një tjetër ceremoni të mbajtur po dje, presidenti Topi dekoroi edhe kreun dhe sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, dhe Nikolin Dionisi me Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për kontribut të shquar në sportin shqiptar, veçanërisht në sportin e atletikës si atlet kampion dhe rekordmen në vite dhe si studiues e drejtues i sportit”, si dhe Mario Peskanten me “Medaljen e Mirënjohjes” me motivacionin: “Për kontributin e dhënë për zhvillimin e Lëvizjes Olimpike në Shqipëri, si dhe për forcimin e Komitetit të saj Olimpik Kombëtar”.
OLGERT SERANI













