Presidenti i mbyll derën Muçit: Nuk largohet, ka fituar ndeshjet
Presidenti i Trabzonsporit, Ertugrul Dogan, ka folur për të ardhmen e Ernest Muçit, duke lënë të kuptohet se mesfushori ofensiv shqiptar mbetet pjesë e planeve të klubit për sezonin e ri. Në një intervistë për mediat turke, kreu i klubit theksoi se Trabzonspori nuk ka ndërmend të shpërbëjë bërthamën e skuadrës, pavarësisht interesimit që mund të ketë për disa futbollistë.

Sipas tij, çdo vendim në merkato po merret në bashkëpunim me trajnerin, ndërsa objektivi i klubit mbetet ndërtimi i një skuadre konkurruese për vendet e para. Duke u ndalur te Muçi, Dogan e cilësoi 24- vjeçarin si një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit, duke nënvizuar kontributin e tij në rezultatet e skuadrës.
“Të gjitha vendimet po i marrim së bashku me trajnerin. Nuk kemi në plan të shpërbëjmë bërthamën e skuadrës. Muçi është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Ai na ka fituar shumë ndeshje. Nuk kemi bërë asnjë plan për të larguar tre apo katër futbollistë. Mund të ketë dy, ndoshta tre largime, por nuk duam të prishim grupin bazë. Ne jemi të detyruar të luftojmë për kreun e renditjes dhe objektivi ynë është të garojmë për titull”, deklaroi presidenti i Trabzonsporit.
Deklarata e Doganit vjen në një periudhë kur emri i Muçit është përmendur në lidhje me interesimin e disa klubeve gjatë merkatos së verës, ku mes tyre lakohet edhe emri i Napolit. Megjithatë, qëndrimi i drejtuesit të klubit turk tregon se Trabzonspori nuk është i gatshëm të heqë dorë lehtësisht nga një prej lojtarëve që konsideron pjesë të projekt për sezonin e ardhshëm.
PANORAMASPORT.AL













