Nisin lëvizjet te klubi i Kategorisë së Parë, ikën Disha dhe rikthehet Deliaj
Oriku, një nga 12 skuadrat që do të garojnë në Kategorinë e Parë në sezonin 2026-2027, ka nisur punën për ndërtimin e ekipit që do të përballojë sfidën e debutimit në këtë kategori. Bregdetarët, të cilët siguruan ngjitjen pasi u shpallën kampionë të Grupit B në Kategorinë e Dytë, synojnë të zhvillojnë një sezon dinjitoz dhe të sigurojnë mbijetesën.

Drejtuesit e klubit kanë filluar lëvizjet e para në merkaton e verës, ku nuk mungojnë as largimet dhe as afrimet. Në repartin e mbrojtjes është zyrtarizuar largimi i Ronald Dishës. Mbrojtësi 27-vjeçar i dha fund aventurës së tij me Orikun përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ku falënderoi drejtuesit, stafin teknik, bashkëlojtarët dhe tifozët për mbështetjen gjatë kohës së kaluar në klub. Megjithatë, drejtuesit kanë lëvizur shpejt për të plotësuar boshllëkun në prapavijë. Oriku ka rikthyer në skuadër Fjoralb Deliajn, i cili së fundmi mbylli bashkëpunimin me Lushnjën.
Mbrojtësi 29- vjeçar rikthehet në Vlorë, aty ku ka luajtur edhe në të kaluarën, duke sjellë eksperiencë dhe më shumë alternativa në repartin defensiv. Merkatoja e verës pritet të jetë mjaft aktive për Orikun, me klubin që synon të afrojë futbollistë me eksperiencë në Kategorinë e Parë, të aftë për ta ndihmuar skuadrën të arrijë objektivin e qëndrimit në kategori.
PANORAMASPORT.AL













