Juventusi ëndërron Kesi-Lobotka, por varen nga shitja e Turam
Juventusi po punon për të përforcuar edhe mesfushën, megjithëse kjo nuk është prioriteti kryesor i merkatos. Objektivi i bardhezinjve është t’i dhurojnë trajnerit Luçiano Spaleti një repart më cilësor, me emrat e Frank Kesi dhe Stanislav Lobotka në krye të listës. Megjithatë, situata financiare e klubit nuk lejon afrimin e të dyve pa realizuar më parë një shitje të rëndësishme.

Kandidati kryesor për t’u larguar është Kefren Turam, për të cilin Juventusi pret një ofertë mbi 40 milionë euro. Interes për mesfushorin francez kanë shfaqur Liverpul, PSG dhe Gallatasaraj, por deri tani nuk ka mbërritur asnjë ofertë zyrtare. Nëse Turam largohet, drejtuesit bardhezi do të kenë mundësinë të avancojnë paralelisht negociatat si për Kesi, ashtu edhe për Lobotkën.
Për sllovakun, Napoli nuk ka ndërmend ta lëshojë lehtë dhe pritet të kërkojë rreth 30-35 milionë euro, ndërsa Spaleti e konsideron atë zgjedhjen ideale për mesfushën. Sa i përket Kesit, pengesa kryesore mbetet paga e tij.
Megjithatë, ish-mesfushori i Milanit thuhet se është i gatshëm të ulë ndjeshëm kërkesat financiare për t’u rikthyer në Serie A. Vetë Kesi, pas eliminimit të Bregut të Fildishtë nga Botërori, nuk e mohoi interesimin e Juventusit. “Po, flitet për Juven. Deri tani kam menduar vetëm për Botërorin, por do të isha një përforcim shumë i mirë. Jam në formë dhe jam lojtar i lirë. Tani do të pushoj, pastaj do të shohim”, deklaroi ai.
PANORAMASPORT.AL













