Mbret në Angli, Hamilton: Ferrari ka një problem
Luis Hamilton mban rekordin e fitoreve në një pistë të vetme në historinë e Formula 1, në Silverston, ku ka triumfuar nëntë herë. Një rekord absolut që e ka kthyer pistën britanike në simbol të karrierës së tij. Pikërisht për këtë arsye, Ferrari ka vendosur të mbështetet te përvoja e tij përpara fundjavës së Çmimit të Madh të Britanisë në cirkuitin e Silverstonit.

Në prag të provave të para, Hamilton zbuloi një detaj interesant, duke bërë të ditur se inxhinierët e Maranelos i kanë kërkuar shpesh këshilla për mënyrën se si duhet përballuar kjo pistë. “Shpesh më pyesnin: ‘Si e ke bërë? Çfarë bëje zakonisht këtu me makinën?’. Shpresoj t’i kem drejtuar në rrugën e duhur”, tha piloti britanik, i cili këtë vit po përjeton Silverstonin e tij të dytë si pilot i Ferrarit. Ai vjen në këtë garë si i treti në renditje dhe si piloti më i qëndrueshëm i sezonit deri tani, duke mbetur gjithmonë në zonën e pikëve.
KTHIM NË REALITET
Megjithatë, për Ferrarin gara nuk pritet të jetë e lehtë. Sipas Hamiltonit, ekipi është përballur me vështirësi serioze në Austri, pas fitores së mëparshme në Barcelonë. Problemi kryesor është i qartë: “Në garë humbnim rreth katër të dhjetat për xhiro vetëm në pjesët e drejta të gjata. Më pas është shumë e vështirë ta rikuperosh në kthesa”, shpjegoi Hamilton. Pavarësisht kësaj, britaniku mbron potencialin e makinës: “Kemi një makinë të mirë. Thjesht po përpiqemi të nxjerrim maksimumin nga ajo që kemi derisa të mbyllim këtë hendek”. Silverston mund ta theksojë edhe më shumë këtë dobësi, pasi pista kërkon shumë fuqi motori, por edhe aerodinamikë të lartë në kthesat e shpejta.
MENAXHIMI I ENERGJISË
“Kjo do të jetë një fundjavë e pazakontë për sa i përket shpërndarjes së fuqisë. Në bisedat mes pilotëve flisnim se sa shumë do të na mungojë fuqia në këtë pistë”, u shreh piloti i Ferrarit. Ai shtoi se edhe menaxhimi i baterisë do të jetë i vështirë, pasi për shumë pjesë të xhiros do të funksionojë kryesisht rikuperimi i energjisë. “Deficiti ynë mund të jetë edhe dy herë më i madh se zakonisht”, u shpreh shtatë herë kampioni i botës.
SHTËPIA E HAMILTONIT
Pavarësisht sfidave, pista Silverston mbetet vend i veçantë për pilotin britanik. “Është një marrëdhënie e ndërtuar në 20 vite. Çdo herë që vij këtu është diçka speciale. Më kanë thënë se këtë vit mund të kemi publikun më të madh ndonjëherë”, tha Hamilton. Ai shtoi se është një nder të garojë në një periudhë kur sporti britanik po përjeton sukses në disa fronte.
ËNDRRA PËR FITOREN E DHJETË
Hamilton nuk dëshiron të fokusohet te një rekord historik: “Nuk mendoj për trofeun. Asnjë pilot nuk e bën këtë. Qëllimi është të ekzekutojmë një fundjavë perfekte”. Megjithatë, ai pranon se energjia e tifozëve në pistën e shtëpisë mund të jetë vendimtare: “Këtu ndjen vërtet mbështetjen e fansave. Shpresoj që kjo energji të na ndihmojë të mbyllim diferencën me rivalët”. Ferrari shpreson që eksperienca e Hamiltonit dhe forma e mirë e makinës së treguar në Barcelonë të jenë të mjaftueshme për një rezultat konkurrues në Silverston, edhe pse sfidat teknike mbeten të mëdha.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













