EKSKLUZIVE/ Ish-fantazisti i kuqebluve, Kepa: Vllaznia do të shihet në Europë, ekipin mos e gjykoni nga miqësoret

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2026 | 13:29

EKSKLUZIVE/ Ish-fantazisti i kuqebluve, Kepa: Vllaznia do të shihet në Europë, ekipin mos e gjykoni nga miqësoret

I ndodhur në Shkodër për pushimet verore, ish-futbollisti i Vllaznisë, Ilir Kepa është prononcuar shkurtimisht për “Panorama Sport”.KepaNë fjalët e tij ai është ndalur pikërisht tek situata aktuale që po kalon ekipi shkodran, duke theksuar se nuk mund të jepet një gjykim i saktë për kuqeblutë në këto momente. Ish-fantazisti preferon ta shohë gotën gjysmë plot, ku ka shpresa se ekipi i drejtuar nga Martini do ta kalojë provën e parë europiane kundër Malishevës.

Kepa, Vllaznia ka pësuar shumë humbje në miqësore, e shikon si problematike?

Shiko, nuk besoj se duhet të gjykojmë nga ndeshjet miqësore, jam dakord se rezultatet mund të mos jenë të pëlqyeshme. Por, edhe të luash në 35-40 gradë, plus me një fazë përgatitore në maksimum nuk besoj se është ideale. Miqësoret janë për prova dhe konsoliduar ekipin, ai është qëllimi i vërtetë. Pastaj në plan të dytë kalon rezultati i takimi sepse ne nuk dimë as gjendjen fizike të shumë futbollistëve. Nëse e kanë optimale apo jo, ndaj s’mund të japim një gjykim 100%.

Ndryshimet e shumta ndikojnë në performancë?

Patjetër që po sepse ekipi ka pasur disa lëvizje në formacion krahasuar me sezonin e shkuar. Çdo lojtar kërkon kohën e tij për t’u përshtatur me idetë e trajnerit, me shokët dhe mentalitetin e ekipit. Ndaj besoj se tek Vllaznia janë të qetë dhe po mundohen të krijojnë një grup sa më optimal e konkurues për sezonin e ri.

Kur mund të kemi një mendim më të plotë për skuadrën?

Edhe në periudhën kur ne luanim futboll, kur vinim nga faza përgatitore gjithë tifozët ishin kuriozë. Si është gjendja ekipit, kush erdhi , kush iku? Këto janë të njohura në futboll e them se Vllaznia reale do shihet në ndeshjen e parë zyrtare të sezonit në Conference League. Ka ende edhe pak ditë kohë për të konsoliduar çdo detaj të fundit.

Do jesh në Shkodër për ndeshjen e parë kundër Malishevës?

Unë e ndjek Vllazninë sa herë mundem edhe në Belgjikë e kam interes gjithmonë për të. Patjetër do jem në stadium dhe do jetë kënaqësi t’a përjetoj mes tifozëve shkodranë, ku shpresoj që edhe ekipi të na kënaqë me një performancë të mirë dhe një rezultat pozitiv.

Si e mendon këtë duel?

Për kundërshtarët e Vllaznisë, Malishevën, realisht s’kam shumë informacione. Por, futbolli në Kosovë ka pasur rritje dhe e shikoj si duel shumë të fortë. Por, unë patjetër anoj nga Vllaznia dhe e shikoj me shumë pozitivitet këtë duel vëllazëror. Them se kuqeblutë do t’ia dalin në fund të 180 minutave për t’u kualifi kuar në raundin tjetër.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL