ATLETIKË/ Xhejkobs ndal kronometrin në 9.67, era i mohon homologimin e kohës
Sprinteri italian Marcell Jacobs përshkoi 100 metrat për 9.67 sekonda, duke triumfuar në finalen e garës në “Raiffeisen Austrian Open” në Eisenstadt. Megjithatë, rezultati nuk do të njihet zyrtarisht, pasi u arrit me një erë të favorshme prej 4.1 m/s, shumë mbi kufirin e lejuar prej 2.0 m/s për homologimin e rekordeve dhe statistikave zyrtare.
Gjithsesi, koha e Jacobs do të regjistrohet nga “World Athletics” në listën e rezultateve të realizuara me erë “ilegale”, pra mbi limitin +2.0 m/s. Natyrisht, italiani nuk ishte i vetmi që përfitoi nga kushtet e favorshme. Romell Glave u rendit i dyti me 9.76 sekonda, ndërsa Wayde van Niekerk përfundoi i treti me 9.83 sekonda. Edhe pse rezultati 9.67 do të shoqërohet gjithmonë me një yll, askush nuk mund të vërë në dyshim nivelin e paraqitjes së atletit 32- vjeçar.
Pas një sezoni të vështirë, Jacobs duket se është rikthyer në formë të shkëlqyer. Mjafton të kujtohet se në gjysmëfinale ai regjistroi 9.84 sekonda, gjithashtu me erë të favorshme prej +2.3 m/s. Deri tani, koha më e shpejtë e regjistruar me erë mbi limitin e lejuar i përkiste amerikani Tyson Gay, i cili vrapoi 9.68 sekonda me erë 4.1 m/s më 29 qershor 2008 në Eugene. Në historinë e atletikës, vetëm një njeri ka qenë më i shpejtë se Jacobs në çdo lloj kushti: legjenda xhamajkane Usain Bolt, rekordmeni botëror me 9.58 sekonda, të vendosur më 16 gusht 2009 në Kampionatin Botëror të Berlinit. Bolt regjistroi gjithashtu 9.63 sekonda në Lojërat Olimpike të Londrës 2012, më 5 gusht 2012.
Në kushte të rregullta gare, koha e dytë më e mirë në histori mbetet 9.69 sekonda e Tyson Gay, e realizuar më 20 shtator 2009 në Shangai. Me vrapimin prej 9.67 sekondash, Marcell Jacobs e përmirësoi ndjeshëm rekordin e tij europian prej 9.80 sekondash, me të cilin fitoi medaljen e artë në Tokio 2020, por kjo kohë nuk do të ketë vlefshmëri zyrtare për shkak të erës së favorshme.
PANORAMASPORT.AL













