Prençi: Gati për sprintin final, Skënderbeu ka rigjetur besimin
Skënderbeu ka rifituar besimin dhe me rezultatet e ndeshjeve të fundit duket se është më i bindur se me cilësitë që ka në ekip, mund të bëjë më shumë dhe të arrijë objektivin e vendosur nga klubi për të siguruar qëndrimin në elitë.

Ky është jo vetëm perceptimi në bazë të rezultateve të arritura në javët e fundit, por edhe ajo që shohin lojtarët çdo ditë në punën dhe përkushtimin që ka grupi në stërvitje dhe mbi të gjitha në ndeshje. Në këtë mendim është edhe kapiteni bardhekuq, Elvis Prençi, i cili, në një prononcim të dhënë pas fitores me Vllazninë, thekson se ekipi ka nisur të reagojë dhe të kërkojë maksimumin në çdo ndeshje. Duket se kthimi i besimit dhe kalimi i gjendjes së vështirë psikologjike pas shumë rezultateve negative, kanë dhënë efektin e duhur.
RIKTHIMI I BESIMIT – “Me rezultatet e marra në ndeshjet e fundit kemi rigjetur besimin dhe qetësinë psikologjike. Këtë e them me bindje, pasi është diçka shumë e rëndësishme ana morale e një skuadre. Rezultatet e njëpasnjëshme jo të mira na futën në një vorbull që nuk na lejonte të jepnim maksimumin. Por me arritjen e disa fitoreve të fundit duket se kemi rifituar besimin te vetja. Ekipi ka gjetur sigurinë në forcën e vet dhe kjo është shumë e rëndësishme në këtë moment. Nga ana tjetër, kemi marrë disa rezultate të mira në ndeshje, shumë të rëndësishme, që na kanë bërë të shohim përpara me më tepër besim. Skuadra është e bashkuar më shumë se kurrë dhe afrimet e janarit na kanë dhënë më shumë forcë dhe eksperiencë në ekip. Të gjithë këto komponentë e bëjnë që të kemi më shumë pozitivitet sa i përket pjesës së mbetur të sezonit”.
SFIDAT – E dimë mirë që çdo ndeshje është shumë e rëndësishme dhe një finale për ne, ndaj po mundohemi që të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme për çdo takim dhe të marrim maksimumin për të siguruar atë që të gjithë në këtë klub e duan. Kemi fatin që jemi pjesë e një klubi tejet serioz dhe shumë të bashkuar që na bën të ecim të bindur rreth objektivit të përbashkët”, theksoi Prençi pas suksesit me Vllazninë. Ndeshja e radhës në kampionat në transfertë ndaj Teutës do të jetë një tjetër pikë shumë e rëndësishme.
LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL













