“Po mundohem të kthehem më i fuqishëm”, Zuna: Egnatia e fortë, por jo e pathyeshme
Henri Zuna futbollisti 22- vjeçar kryeqytetas luan në rolin e mbrojtësit të djathtë te Vora. I është gëzuar shënimit të një goli ndaj bardhebluve në 19 ndeshjet e luajtura gjatë këtij sezoni. Për “Panorama Sport” para sfidës kundër Egnatias jep këtë intervistë.

Për ju si lojtar çfarë peshon më shumë tani humbja me Vllazninë apo fitorja me Egnatian?
Të dyja ndeshjet kanë rëndësinë e vet. Sigurisht ndeshja me humbje ndaj Vllaznisë na mbajti akoma në pozicionin që ishim dhe me largësi pikësh me rivalet e mbijetesës, por sidomos ky takim ndaj Egnatias ka edhe më shumë vlera, sidomos për rëndësinë e mbijetesës së klubit tonë. Sigurisht që të humbasësh tani, kur kampionati është në një fazë të ndezur, si lart edhe poshtë, humbja me Vllazninë na shtoi më shumë mërzinë. Kryesorja është të mësojmë sa më shumë nga kjo humbje dhe të rikthehemi sa më shpejt tek fitorja.
Ndeshja me Egnatian luftohet për fitore, a është e mundur?
Tashmë kur kampionati po bëhet më i fortë e të gjitha ekipet kërkojnë pikë, nuk ka më ndeshje të lehta e aq më shumë për ne. kjo kundër Egnatias është një ndeshje e fortë sepse përballë kemi kampionët e Shqipërisë, që kërkon preokupimin maksimal të të gjithëve dhe përkushtimin me vendosmëri në fushë. Ne duhet të besojmë më shumë në cilësitë individuale të futbollistëve, pasi vetëm kështu mund të vihet në vështirësi kundërshtari.
Për fat të keq ne luajmë ndaj një ekipi që po kalon një gjendje dhe formë të mirë në të gjitha aspektet si në anën teknike e taktike por edhe fizikisht. Por ne nuk duhet të vuajmë në këtë ndeshje, por të qarkullojmë topin e të sulmojmë në hapësirat që mund të na krijohen. Këtu më shumë kemi nevojë për aftësi teknike por dhe konkluduese, që të krijojë superioritet për të luajtur një kundër një. Krijimi i superioritetit numerik jep mundësi shumë të mira për hapësira para portës dhe shfrytëzimi tyre na jep mundësitë për të shënuar. E po qe se shënon edhe fiton.
Gjendja juaj fizike ka pasur disa luhatje, po tani?
Siç e dini kam pasur dy-tre dëmtime por që kanë qenë të lehta e këto ma kanë bërë disi gjendjen time fizike për të qenë, jo në kondicionin e plotë. Po mundohem, që të rikthehem edhe më i fuqishëm, falë kujdesit dhe ndihmës së stafit mjekësor. Po ashtu edhe disa efekte që i kam pasur në ndeshje po mundohem që t’i evitoj dhe të jem në formën time qind për qind.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL













