PIKANTET PARTIZANI-FLAMURTARI/ Zhgënjim dhe festë tek “Arena e Demave”! Tekniku lufton me shishen, italiani udhëzime nga lart

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2025 | 22:43

PIKANTET PARTIZANI-FLAMURTARI/ Zhgënjim dhe festë tek “Arena e Demave”! Tekniku lufton me shishen, italiani udhëzime nga lart

Egnatia merr informacion Partizani e mposhti Flamurtarin me rezultatin 2 me 1. Sfida 13 dhjetorit u luajt në stadiumin “Arena e Demave”, ndërsa pati vlerë për javën e 16-të të Superiores. Ndeshjen që u luajt të shtunën prej orës 16:30, e ndoqën rreth 1500 tifozë.

guerrils

-Si të mos mjaftonte mungesa e Doumbias dhe Ismailit, Kërnaja humbet edhe shërbimet e Janjevës. Ky i fundit që ishte projektuar titullar, mungon për shkak se mbrëmjen para ndeshjes ishte me temperaturë. Doumbia ndërkohë e ndjek ndeshjen me paterica nga tribuna, pas dëmtimit në derbin me Tiranën. Rikthimi i tij pritet në janar.

-Për këtë takim është i pranishëm Klejdi Zenelaj. Drejtori sportiv i Egnatias po mbledh informacion për Partizanin, kundërshtar me të cilin mat forcat në javën e ardhshme të Superiores.

-Kërnaja bën gjyqtarin në pjesën e parë. “Jepe faull”, i thotë për një moment në favor të Partizanit. Kryesori Grimci preferoi vijimin e lojës me Flamurtarin në kontroll.

-Çantakias ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Tomës dhe dëmtohet. Flamurtari humbet shërbimet e tij në minutën e 10-të duke kushtëzuar Morieron. Vendin e lojtarit grek e merr Telushi, i cili po ashtu nuk mund të vazhdojë më tepër se deri në minutën e 74-t. Këto dy zëvendësime të detyruara u bënë nga Moriero, para se të largonte Markun për Burard në fundin e kohës së rregullt.

-“Partizani, çunat e Cërrikut”, është një mesazh që prej vitesh i shoqëron të kuqtë. Rikthehet në stadium, pikërisht për këtë ndeshje tek “Arena e Demave”.

-Qirko rrëshqet në zonën dhe Flamurtari humbet rastin e artë për të shënuar. Kërnaja tensionohet në maksimum me këtë episod, për këtë shfryn nervat duke goditur fort me këmbë një shishe që i ndodhej pranë. -Isgandarli feston pranë tifozëve të Partizanit si Kristiano Ronaldo. Sulmuesi azer është ai që zhbllokon sfidën.

-Largohet Jata i dëmtuar te Partizani pas 56 minutave lojë, duke i lënë vendin Mehmetit. Mesfushori 19-vjeçar e kishte ndeshjen e parë si titullar në kampionat të rregullt, pasi më parë aktivizohej në “Final Four” nga minuta e parë.

-Isgandarli nuk e kupton në një moment të pjesës së dytë, që Flamurtari sapo fitoi këndore. Kështu po kthehej në sulm. Më pas i habitur duke kthyer kokën pas, kupton se ka lënë hapësirë të madhe pas. Kthehet me nxitim, ndërsa ky episod sjell të qeshura.

-Ultrasit e Partizanit, “Guerrils”, e shoqëruan ndeshjen me kore dhe këngë deri në fund. Entuziazmi i formës që Partizani po kalon, ndihet. “Flota Kuq e Zi”, e hap banerin identifikues në minutën e 78-të. Mbështetja e tyre fillon nga ai moment për Flamurtarin.

-Partizani shënon golin e dytë me Skukën dhe disa minuta para fundit, një tifoz nga tribuna “VIP” i drejtohet Morieros: “Cambio”. Te Flamurtari prej disa minutash janë tifozët që kërkojnë zëvendësime.

-Partizani i Kërnajës merr fitoren e tretë radhazi në kampionat. Diçka e tillë nuk ndodhte që prej muajit maj të vitit 2024, kur Orges Shehi e drejtonte skuadrën.

EMANUEL LOCI  – PANORAMASPORT.AL