PIKANTET/ Partizani e nis me festë dhe e mbyll me unazë, turistët bëhen me Egnatian. Rishfaqet Abilaliaj dhe nuk është ish-i i vetëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2025 | 21:47

PIKANTET/ Partizani e nis me festë dhe e mbyll me unazë, turistët bëhen me Egnatian. Rishfaqet Abilaliaj dhe nuk është ish-i i vetëm

Partizani – Egnatia ishte supersfidë për javën e tetë të Superiores, ndërsa ka kujtimet e dy edicioneve të kaluara të “Final Four”. Takimi mes dy skuadrave u luajt tek “Arena e Demave”, ditë e shtunë ora 17:00. Rreth 1000 tifozë janë të pranishëm për këtë përballje, që e sheh Egnatian me 7 pikë më tepër se Partizani.WhatsApp Image 2025-10-27 at 06.17.58-“Spiker”-i i stadiumit, Pap Kodra, ka ndryshuar pozicionim tek “Arena e Demave”. Ndryshe nga më parë ku vendosej pranë sektorit të miqve në tribunën qendrore, tashmë pozicionohet pranë sektorit të dedikuar për tifozët e Partizanit.

-Turistët ndërkohë kanë zgjedhur të vendosen në sektorin e miqve te tribuna qendrore. Duket si sektori i “turistëve” duke parë që të Egnatias janë shumë të paktë në numër. 14 prej tyre po e ndjekin sfidën në tribunën ballore. “Ultras Guerrils” bëjnë që ndeshja të mos e humbasë rëndësinë, me atmosferën që krijojnë. Turistët e shijojnë këtë fakt dhe disa herë ndezin telefonat për të kapur momente, këtë nuk e bëjnë edhe për ndeshjen.

 

-Të pranishëm në stadium janë edhe Tefik Osmani me Arbër Abilaliajn. Dy ish-drejtorë sportivë respektivisht te Vllaznia dhe Partizani. Abilaliaj dha dorëheqjen në fillimin e këtij muaji, ndërsa nuk e humbet sfidën e parë të Partizanit në shtëpi pa të.

-Bie në sy edhe prania e Renaldo Kalarit, pasi ky i fundit qëndron në tribunën “VIP”. Më herët nën drejtimin e tij, të shtunën, ekipi i Dinamos B fitoi 10 me 0 ndaj ekipit Beksat. Interesant është fakti se Oltijon Kërnaja është në krye të ekipit të parë tashmë dhe e ka ndeshjen e parë në shtëpi. Kërnaja pasoi pikërisht Kalarin, që paraqiti dorëheqje te Partizani pas 10 viteve në klub.

-Mal Januzi është surpriza e Egnatias për këtë takim. Ish-lojtari i Partizanit B dhe akademisë së kuqe më parë, është federuar te kampionët e Shqipërisë pasi kishte mbetur pa ekip. Mesfushori 21- vjeçar ka luajtur po ashtu tre ndeshje me ekipin e parë të Partizanit.

-Vusal Isgandarli te Partizani dhe Eljon Sota tek Egnatia kanë statusin e “ish”-it të sfidës. Të dy luajnë nga minuta e parë.

-Partizani kujdeset që t’i kushtojë një fanellë David Atanaskoskit. Tashmë numëron 100 ndeshje zyrtare te Partizani. Për këtë fotoja përpara fillimit të ndeshjes i dedikohet pikërisht atij. Vetëm Alban Hoxha ka më tepër sfida zyrtare me të kuqtë nga kontingjenti aktual

. -Egnatia nuk e ka stolin të mbushur me aq sa është kapaciteti, konkretisht ka dy zgjedhje më pak për Edlir Tetovëns. Trajneri Oltijon Kërnaja në anën tjetër zgjodhi 21 të besuarit e tij për këtë sfidë ku janë kthyer Besar Gudjufi dhe Gjergji Kote si opsion.

-Xhuliano Skuka nuk ishte rastësisht kapiten në Vlorë, ndërsa gjithçka është lënë pas nga incidenti me Garsian. Pas Skënder Gegës, një tjetër trajner tropojan ia beson shirtin. Bëhet fjalë për Oltijon Kërnajën. Kështu edhe pse është rikthyer Preka, shiriti i ka mbetur Skukës.

-Isgandarli dhe Doumbia shfaqin pakënaqësi ndaj njëri-tjetrit, pasi nuk u kuptuan për një pasim. E sqarojnë pas disa minutave dhe pse secili duket se mbron vetëm argumentin e tij.

-Trajneri Edlir Tetova dhe kapiteni Albano Aleksin e kanë me gjyqtarin Andi Koçi. Tetova shpesh herë kalon kufizimin e vendosur për trajnerët. Nuk mungojnë kritikat e tij për skuadrën, ndërsa momenti më kulminant është në frymën e fundit të pjesës së parë. Tetova si rrallë herë mund të shikohet, vendos duart në kokë pasi Buriç humbet rastin e artë të sfidës.

-Arshonzh Bintsuka është i pafat, pasi dëmtohet për datëlindje. Bashkë me Saliu Sembenen, duhet të lërë fushën që në pjesën e parë. Të dy shfaqin shqetësime, ndërsa Sembene dhe pse u mundua të vazhdojë, duke u fashuar te këmba, nuk duroi më tepër se 5 minuta.

-Oltijon Kërnaja është shumë ekspresiv gjatë gjithë kohës, aq sa nuk e mban vendi. Ka kritika të shumta për lojtarët e tij dhe nuk ndalet së reaguar për çdo aksion. Kërnaja kërkon vazhdimisht t’i dërgojë futbollistët në limite.

-Lëvizjet e bukura me top dhe guximi për ato shpesh mungojnë, por jo për Adnard Mehmetin. Ky i fundit fiton ovacionet e turistëve, që e vlerësojnë për veprimin në fushë.

-Zëvendësimi i minutës së 72-të te Partizani, e kap të papërgatitur Redon Ismailin. Ky i fundit pasi kishte kuptuar që do të aktivizoheshin Toma në vendin e Skukës dhe Janjeva, nuk e mendonte se do të largohej për t’i lënë vendin një mbrojtësi. Loja është e ndalur, ndërsa i kujtojnë Ismailit që është ai i cili duhet të largohet nga fusha e lojës, për t’i bërë vend Janjevës.

-Kërnaja i kërkon Bytyçit të mos rrezikojë duke dalë përpara, disa herë në pjesën e dytë. Në fundin e takimit, Kërnaja u duk i kënaqur me barazimin duke takuar disa pjesëtarë nga pankina. Ndryshe mund të thuhet për Edlir Tetovën, që preferoi të shkonte menjëherë në dhomën e zhveshjes pa përshëndetur askënd.

-Ndeshja është mbyllur, ndërsa Albano Aleksi dhe Flamur Ruçi janë të fundit që dalin nga Egnatia. Kapiteni Aleksi sqaron diçka me Ruçin, që lidhet me pjesën e ndeshjes. Pakënaqësi të cilën Ruçi e merr për bazë, ndërsa u aktivizua vetëm për disa minuta në fund.

-Askush nuk largohet nga fusha e blertë te Partizani pas ndeshjes. Madje të gjithë bashkohen, edhe Mateo Çipi që është me paterica pas dëmtimit të rëndë në Vlorë. Altin Bytyçi ka vendosur t’i propozojë partneres së tij. Tymueset, fishekzjarret dhe flakadanët nuk mungojnë, ndërsa disa prej futbollistëve formojnë “Marry Me”. Partnerja e Bytyçit pranoi propozimin e shumëpritur dhe u shkëmbyen puthje. Kështu siç nisi takimi me festë, për Atanaskoskin që numëron 100 ndeshje, edhe u mbyll me propozimin e Bytyçit.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL