Pikantet e Tirana-Vllaznia/ Shkëndija mes Balajt dhe Brdariç, tifozët bardheblu “kyçen” në stadium (E PLOTË)
Luftë nervash mes tifozërive që mbërrijnë me vonesë në stadium, pretendime për golat e anuluar dhe Bekim Balaj që nuk pranon zëvendësimin.

Këto dhe jo vetëm ishin disa nga pikantet e kësaj sfide që serviren nga “Panorama Sport”.
– Grupimi ultras i bardhebluve “Fanatics” mbërrin me dhjetë minuta vonesë në stadium, duke i humbur minutat e para të sfidës.
– Akoma më keq për “Vllaznitë”, të cilët u gjendën në trafik dhe mbërritën vetëm pas mbarimit të pjesës së parë në stadium.
– Në fillim të ndeshjes ka takime të përzemërta mes drejtuesve të dy skuadrave. Fillimisht mes dy presidentëve dhe më pas mes trajnerëve respektivë. – Trajneri i Tiranës, Bledi Shkëmbi, nis të “nxehet” dhe heq xhupin në minutën e 21-të të ndeshjes, duke qëndruar me këmishë.
– Në minutën e 34-t, Jorgji afrohet te gjyqtari i katërt dhe ndërron shkumën, pasi me sa duket ajo e tij kishte probleme.
– Anulimi i golit të dytë tërbon ekipin dhe tifozët e Tiranës, të cilët vërshojnë një lumë të sharash ndaj gjyqtarëve. Madje, kur po hynte në dhomat e zhveshjes, Grent Halili po i kërkonte llogari anësorit Emigers Ganxhi.
– Nuk munguan ngacmimet dhe sharjet në distancë nga tifozëritë e të dyja palëve, ku dihet rivaliteti i vjetër mes tyre.
– Brdariçin e tërbon një këndore në dëm të skuadrës së tij. Shkon te gjyqtari i katërt dhe bën me gjeste që ishte një vendim i gabuar.
– Në minutën e 63-të ndalet loja për çeljen e iftarit. Ajo që bie në sy ishte se nga lojtarët në fushë vetëm Gurishta shkoi të konsumonte diçka. Mbase vetëm ai ishte nga ata që agjëronte, ndërsa pak më vonë afrohet edhe Mala që konsumon ujë.
– Bekim Balaj refuzon të zëvendësohet për një moment, ku pret ekzekutimin e një goditjeje dënimi fillimisht. Edhe kur del, shfaqet i nervozuar dhe shmang kontaktin me Brdariç.
– Tifozët e Tiranës “ngujohen” në stadium nga policia, e cila u përpoq të evitonte përplasjen mes grupimeve në mbarim të ndeshjes. Pas largimit të tifozëve të Vllaznisë, u hapën portat edhe për ata të Tiranës.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













