PIKANTET E SKËNDERBEU-DINAMO/ Dy presidentët nuk ulen në tribunë! Gjoka “bën namin” në pushim, Alla i kujton topin “heroit”
Si pasojë e reshjeve të shiut, presidentët e dy ekipeve kanë ndjekur takimin nga dhoma VIP në tribunën qendrore të stadiumit “Skënderbeu”. “Panorama Sport” ju sjell momentet më pikante të ndeshjes në Korçë.

* Trajneri Gjoka ka qëndruar gjatë gjithë pjesës së parë në këmbë duke dhënë udhëzime për lojtarët dhe duke u munduar t’i qetësojë që të linin pas golin e pësuar dhe të mendonin për pjesën e mbetur. Nga ana tjetër Ilir Daja ka shprehur në disa momente vlerësimin për disa prej lojtarëve të akademisë që i kishte hedhur në fushë si titullar.
* Në pushim të pjesës së parë, trajneri Ernest Gjoka ka shkundur ekipin në dhomat e zhveshjes. Numri një i pankinës korçare nuk ka kursyer britmat për ekipin e vet duke dhënë ultimatumin që në pjesën e dytë skuadra të hynte në fushë me një tjetër marsh dhe të ndryshonte lojën që zhvilloi në pjesën e parë.
* Dëmtimi i Meksit duket se ka shqetësuar mjaft trajnerin e Dinamos. Lojtari u zëvendësua si një ndërrim i detyruar dhe në momentin e largimit nga fusha Daja e ka pyetur për gjendjen. Të njëjtën gjë trajneri ka bërë edhe pas fundit të ndeshjes duke treguar haptazi se meraku i madh ishte dëmtimi i një tjetër lojtari dhe shtimi i mungesave për ndeshjen e radhës.
* Saleh Nasr ka shënuar tre gola dhe për pasojë do të duhej të merrte me vete topin e ndeshjes. Por lojtari nuk e ka bërë fillimisht një gjë të tillë. Ka qënë arbitri Alla ai që e ka çuar topin deri te korridori i stadiumit për të njoftuar më pas lojtarin që, nëse donte, mund ta merrte topin e ndeshjes si kujtim për tregolëshin e shënuar.
* Nuk kishin si të mungonin ovacionet për trajnerin e Dinamos Ilir Daja nga ana e tifozëve korçare. Në kor sportdashësit korçarë kanë bërtitur disa herë emrin e trajnerit, me të cilin arritën shumë suksese. Daja është përgjigjur me një ngritje dore dhe duartrokitje në drejtim të tifozëve.
PANORAMASPORT.AL













