Pikantet e Elbasani-Tirana/ Huliganizëm në stadium, loja ndalet 26 minuta. Tifozët përfundojnë në komisariat
Sherri mes tifozëve të Elbasanit dhe Tiranës ka qenë kryefjala e ndeshjes së zhvilluar në Elbasan, ku tensioni i lartë në tribuna dhe incidentet e njëpasnjëshme detyruan arbitrin Juxhin Xhaja të ndërpriste takimin për disa minuta.

Për shkak të rivalitetit të hershëm mes dy tifozerive, në stadium ishte vendosur një numër i madh efektivësh policie, përfshirë edhe forcat speciale, por kjo nuk mjaftoi për të shmangur përplasjet dhe aktet e dhunës. Për shkak të rivalitetit ndër vite mes tifozërive të Elbasanit dhe Tiranës, në stadium ishte vendosur një numër i madh efektivësh policie, përfshirë edhe forcat speciale.
Megjithatë, teksa ultrasit e Elbasanit po hynin në stadium, nisën përplasjet në distancë me tifozët e Tiranës, të cilët ishin akomoduar në sektorin e tyre. Për rreth 10 minuta u hodhën shishe dhe sende të forta, derisa ndërhyrja e policisë bëri të mundur neutralizimin e situatës. Incidentet nuk përfunduan me kaq.
Pak minuta para nisjes së sfi dës nisi “raundi” i dytë i përplasjeve, kësaj here jo vetëm me sende të hedhura nga tribuna. Pas provokimeve mes palëve, ultras të Tiranës dhe Elbasanit zbritën në fushë, ku shpërtheu një sherr fizik me grushte dhe shkelma. Situata u vu nën kontroll vetëm pas ndërhyrjes së forcave speciale, të cilat rikthyen tifozët në vendet e tyre.
Në minutën e 13-të, ndeshja u ndërpre për afro katër minuta, pasi tifozët e Elbasanit hodhën kapsolla pranë mesfushorit Alvarez, i cili po përgatitej të ekzekutonte një goditje nga këndi. Arbitri Xhaja u drejtua drejt pankinës së Elbasanit dhe delegatit të ndeshjes, duke kërkuar qetësimin e menjëhershëm të situatës.
-Loja u ndërpre sërish shtatë minuta më vonë për të njëjtat arsye. Këtë herë, Xhaja dha ultimatumin e fundit, duke paralajmëruar se ndeshja do të ndërpritej përfundimisht nëse incidentet do të vazhdonin.
-Në minutën e 66-të, një bidon me ujë goditi në dorë arbitrin kryesor Juxhin Xhaja. I irrituar nga situata, ai e hodhi bidonin dhe u drejtua drejt dhomave të zhveshjes së bashku me asistentët, duke ndërprerë ndeshjen. Arbitri qëndroi rreth 15 minuta në ambientet e brendshme të stadiumit, përpara se të rikthehej sërish në fushë për të vazhduar takimin.
-Pas përfundimit të ndeshjes, policia e Elbasanit shoqëroi tifozët bardheblu deri në dalje të qytetit, me qëllim shmangien e incidenteve të tjera. Gjithashtu, disa tifozë nga të dyja kampet u shoqëruan në komisariat për ngjarjet e ndodhura para fillimit të takimit.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













