Pesë lojtarë me probleme te Partizani, por bie alarmi për dy prej tyre
Dëmtimet te Partizani kanë qenë gjithnjë një telash më vete dhe duket se nuk po i ndahen as në këtë fillim të sezonit. Kundër Teutës, dy lojtarë u detyruan të lënë fushën e lojës për shkak problemesh, por në rastin e tyre fatmirësisht gjithçka ka rezultuar momentale.
Paulo Buxhelaj u pa të vinte dorën te pjesa e barkut dhe pas ndeshjes u mësua se mbrojtësi ka kaluar një virozë, që i ka shkaktuar edhe probleme shëndetësore si dhimbjet e barkut dhe të vjellat. Sakaq, Arshonzh Bintsuka u pa të kishte një shqetësim muskulor dhe kërkoi menjëherë ndërrim.
Pas ekzaminimeve ka rezultuar vetëm një ngërç në muskujt e kofshës dhe pas një trajtimi të shkurtër kongolezi pritet të kthehet në stërvitje për derbin kundër Dinamos. Sakaq, David Domgjoni vijon trajtimin e një tërheqjeje muskulore të gradës së parë që ka pësuar kundër Skënderbeut. Mbrojtësi sot pritet të kryejë kontrollin e radhës dhe nëse gjithçka ka kaluar, do të nisë menjëherë stërvitjen me grupin.
Pano Qirko, i cili pësoi shembje në pjesën e legenit pas një përplasje gjatë ndeshjes së Kupës me Apoloninë, kërkon ende kohë rikuperimi. Gjithashtu, Kote mungon prej më shumë se një muaji dhe ende nuk ka arritur të jetë në gjendje për t’iu bashkuar ekipit nga minuta e parë. Pjesa tjetër e skuadrës gëzojnë shëndet të plotë dhe do të jenë tërësisht të gatshëm për sfidën kundër Dinamos, një betejë mjaft e vështirë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"