Personaliteti i Dinamos, si u tjetërsuan nga Ilir Daja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2025 | 23:38

Personaliteti i Dinamos, si u tjetërsuan nga Ilir Daja

Me fitoren e fundit ndaj Elbasanit, Dinamo ka vendosur ndoshta edhe pjesën e fundit në “mozaikun” e kritereve që duhet të plotësojë një skuadër për të qenë pretendente potenciale për titullin kampion. Është pjesa e personalitetit në fushë, pa të cilin çdo skuadër, sado kualitet që të ketë, nuk mund të fitojë ndeshjet dhe trofetë.

ilir daja

Dinamoja e së dielës në mbrëmje e kaloi me sukses provën, duke përballuar në mënyrën më të mirë një 90- minutësh plot tension në tribuna, që në fushën e blertë përcjell jo pak presion. Lojtarët e “Nëndetëses” nuk lëshuan pe për asnjë moment, përkundrazi luftuan për çdo top, iu imponuan kundërshtarit dhe goditën në momentet kyçe të ndeshjes. Ka një ndryshim të madh në aspektin e personalitetit te Dinamo.

Po këta lojtarë ishin edhe më parë, pro vazhdimisht skuadra shfaqej e brishtë dhe me shumë vështirësi menaxhonte situatat delikate brenda një sfide. Tani vihet re qartë se trajneri Ilir Daja, përveç anëve tekniko-taktike, e ka tjetërsuar grupin e lojtarëve edhe në personalitet. Dinamo sillet si një skuadër kompakte në fushë, me lojtarët që sakrifikojnë për të mbuluar çdo gabim të njëri-tjetrit dhe me mendësinë e duhur për të përballuar edhe më të fortët.

Rritjes së nivelit të lojës, me veprime më të automatizuara, që të krijojnë idenë se goli i bluve do të vijë patjetër, tashmë i bashkohet edhe personaliteti dhe karakteri në fushë, duke formuar kështu binomin që nevojitet për të qenë fitues. Dora e trajnerit Ilir Daja është evidente, lojtarët po e ndjekin mjaft mirë në çdo drejtim. Bashkëpunimi trajnerlojtarë është në nivelin maksimal, mjafton të shohësh mënyrën si e festojnë blutë çdo gol të shënuar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"