Përgatitjet e të kuqve, Gega “shtrydh” lojtarët. Dy të munguarit presin… letrat
Partizani vijon me seancat stërvitore në kompleksin e kuq. Prej pak ditësh kanë nisur përgatitjet për sfidat e raundit të parë të Ligës së Konferencës që të kuqtë do të zhvillojnë në javën e dytë dhe të tretë të korrikut.

Në qershor pritet të mësojnë edhe kundërshtarin. Në seancat e të kuqve vijojnë të mungojnë Sembene dhe Bintsuka, të cilët kanë marrë më shumë kohë për të qëndruar me familjen. Senegalezi është e sigurt se do të kthehet, teksa për kongolezin ekzistojnë dyshime, pasi ai nuk ka kontratë tek të kuqtë. Është arritur një marrëveshje paraprake për rinovimin, por ende nuk është hedhur asgjë në letër.
Sakaq, Vujnoviç dhe Podstrelov, pavarësisht se janë ende nën kontratë, nuk pritet të kthehen te “Demat”. Në seancat stërvitore Gega ka afruar edhe të rinj si Malaj, Himallari apo Vata, të cilët duket se janë integruar tashmë me ekipin e parë dhe gjatë sezonit të ri mund të kenë mundësinë të tregojnë veten. Malaj e ka tashmë një kontratë, teksa Himallari pritet të jetë i radhës që të firmosë një kontratë si profesionist.
Trajneri Gega po punon më së shumti për të rritur formën fizike të lojtarëve, teksa nuk mungojnë as momentet e relaksimit me topin, ku zhvillohen lojëra apo minindeshje në fund të seancave. Mjaft intensitet kanë pasur edhe seancat në palestër. Në ditët në vijim nuk përjashtohet mundësia e ndonjë miqësoreje, me qëllim shkarkimin e ngarkesës që skuadra po merr gjatë këtyre ditëve.
PANORAMASPORT.AL













