Përgatitjet anti-Vllaznia, Partizani lë stadiumin “Arena e Demave”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2025 | 9:13

Përgatitjet anti-Vllaznia, Partizani lë stadiumin “Arena e Demave”

Partizani ka zhvilluar dje seancën e radhës stërvitore në prag të takimit me Vllazninë. Të kuqtë janë zhvendosur nga stadiumi “Arena e Demave” tek ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.fdxgdKy vendim i klubit vjen pasi në Shkodër, kryeqytetasit gjejnë një fushë me bar natyral ndryshe nga se janë mësuar. Kështu kërkohet ambientim maksimal. Gjatë kësaj kohe që ishte pushimi i kombëtareve, miqësorja me Besën u luajt në stadiumin “Niko Dovana”. Kryeqytetasit e vlerësojnë në maksimum transfertën e Shkodrës dhe kërkojnë të marrin maksimumin. Milinkoviç po ashtu e kishte paralajmëruar këtë lëvizje, pas sfidës së luajtur me Teutën.

DEKLARATA- “Mendimi im i sinqertë është se mendoj se fusha artificiale nuk është për futboll, kemi ekipet më të mira në Europë dhe asnjë nga ata nuk luan në fushë me bar artificial. Por presidenti na dha mundësinë dhe ndoshta pas pushimit të shkojmë të luajmë me bar. Por nëse stërvitesh në çdo seancë kështu dhe pastaj luan në bar, rrezikon dëmtimet. Pastaj kur nuk luan në fushën tënde, humb diçka nga atmosfera”, u shpreh Milinkoviç pas takimit me Teutën. Kjo situatë është projektuar për këtë takim, pasi “Panorama Sport” mëson se sfida me Elbasanin do të përgatitet tek “Arena e Demave”. Trajneri Milinkoviç e ka shprehur frikën e dëmtimeve, ndërsa ekipi stërvitet me bar artificial dhe më pas luan në fushë me bar natyral. Kjo e ka shtyrë klubin që të veprojë, për të parandaluar në maksimum situatat e tilla. Partizani është një ndër skuadrat më të penalizuara në Superiore, nëse flitet për mungesa.

QERSHOR DHE KORRIK- Partizani la Tiranën në qershor, për të zhvilluar fazën përgatitore në Ohër. Fusha që ofrohej ishte me bar natyral. Në fokus ishin përgatitjet për ndeshjet e Europës. Edhe pasi u kthyen në kryeqytet, të kuqtë nuk u stërvitën në stadiumin “Arena e Demave” që ofron fushë me bar artificial. Partizani vijoi me seancat stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”. Kjo situatë vijoi deri në mesin e muajit korrik.

Partizani nuk pati probleme me dëmtimet gjatë asaj kohe, ndërsa eksperienca në Europë përfundoi që në turin e parë të Ligës së Konferencës. SFIDA- Partizani nuk fiton në transfertën e Vllaznisë, që prej vitit 2022. Triumfi në Shkodër do të ishte motivimi i duhur, ndërsa kalendari sjell të tjera përballje delikate. Po ashtu ndaj Vllaznisë është takim me një rival direkt, në luftën për trofe. Mungesa e vetme që ka ndikim të madh në planet e Milinkoviç është e Sembenes. Ky i fundit pati shqetësime ndaj Teutës dhe ndodhet në periudhën e rikuperimit. Ky takim pritet të sjellë debutime te Partizani, pasi futbollistët e afruar sidomos gjatë muajit gusht kanë kapur formën e duhur.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL